Tri ditë emocionuese futbolli, shumë ndeshje, 20 ekipe dhe dhjetëra fëmijë të moshës 13-vjeçare të akademive të ndryshme nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni.
U bënë bashkë “Rreth Flamurit”. Kështu u quajt turneu i organizuar në ambientet e Akademisë së futbollit Triumf dhe që kulmoi këtë të diel me ndeshjet finale.
Fitoi Wotfordi, skuadra angleze që ishte pjesë e këtij organizimi. Trajneri i skuadrës vlerësoi maksimalisht shqiptarët.
“Ishte një turne i shkëlqyer. E merituam fitoren, por edhe djemtë shqiptarë kanë skuadra shumë të mirë dhe futbollistë cilësorë. Shpresoj që të jenë argëtuar të gjithë”, tha Adam Balletta, trajneri i Watfordit.
Për Andi Lilën, themeluesi i Akademisë “Triumf”, ky ishte vetëm fillimi.
“Tani që mbaroi, eventi do më mungojë shumë. Nesër do ngrihem në mëngjes, me atë rutinën time. Këto tre ditë ishin tepër të lodhshme, por shumë të bukura. Shpresoj që të kthehet në një brand edhe për Tiranën. Në organizimin tjetër mund të kemi Milanin, Paris Germain apo Juventus”, deklaroi Lila.
Turneu 3 ditor që bëri bashkë fëmijët, në humbje dhe në fitore, mes rrebeshit të shiut dhe diellit, mes zhgënjimit dhe festës ishte një mësim për të gjithë.
“Ka qenë një paraqitje fantastike. Standardi ka qenë i mrekullueshëm, duhet të mësojmë nga standardi i lojës që kanë ekipet e huaja, se çfarë performance japin, nga fizika, teknika, mënyra sesi sillen në ambiente ndërkombëtare”, u shpreh Alberto Kurti, organizator.
Shumë prindër nga Anglia kishin shoqëruar fëmijët e tyre në këtë eksperiencë.
“U kënaqëm shumë këtu në Tiranë. Atmosfera ishte fantastike. Na pëlqeu ushqimi, por edhe vera. Me shumë mundësi do të rikthehem sërish me familjen për pushimet e verës”, tha një prind anglez.
“Rreth Flamurit” e shndërroi Tiranën në kryeqendër të kësaj fundjave, për të përcjellë vlerat e sportit, ndjenjën patriotike dhe respektin ndaj njëri-tjetrit.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
