Gazetarja Klesiana Omeri raporton se në Parkun Olimpik është mbyllur numërimi i votave të diasporës për kandidatët në Qarkun e Fierit. Zegjine Çaushi ka mundur të fitojë mandatin dhe në legjislacionin e ardhshëm do ta shohim në një nga karriget e Kuvendit të Shqipërisë.

Pas mbylljes së numërimit, në drejtim të Çaushit nisën duartrokitjet ndërsa ajo festoi duke përqafuar të gjithë të pranishmit në sallën e numërimit të votave.

Sa i përket rezultatit, nga të dhënat në KQZ, Çaushi fitoi shumë ngushtë ndaj kandidatit të radhës, me vetëm 49 vota. Megjithatë siç raportoi gazetarja Omeri, pritet të shihet rezultati final pasi votat e fundit të numëruara nuk janë pasqyruar ende në sistemin e KQZ-së.

Zegjine Çaushi ka qenë një nga kandidatet më të përfolura gjatë fushatës elektorale. Videot e saj drejtuar Gazment Bardhit, shefit politik të PD-së për qarkun e Fierit bënë xhiron e rrjetit.

Kandidaten 26-vjeçare e mori në mbrojtje drejtuesja politike e PS-së në Fier, Belinda Balluku, e cila tha se “ajo është luftëtare” dhe mbrojti veten me videot drejtuar Bardhit.

Kandidatët e tjerë që fituan mandat në Fier nga lista e hapur janë Ceno Klosi, Klevis Jahaj, Asforal Haxhiu, Antoneta Dhima, Elton Korreshi dhe Ramion Kurti. Nga listat e mbyllura hyjnë Belinda Balluku, Petrit Malaj, Kiduina Zaka, Erjo Mile dhe Ana Nano. Kujtojmë se socialistët morën një rezultat të thellë në Fier, 12 me 4./tvklan.al