Komisionerja për zgjerimin Marta Kos e ka konsideruar si tërealizueshëm objektivin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.

“Ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e BE-së është një shenjë e përkushtimit të saj për t’u anëtarësuar në BE. Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kyçe. Këtë vit, u arrit një moment i rëndësishëm me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për çështjet themelore me raportin IBAR. Që nga ai moment, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj, dhe po punon për të përmbushur kriteret për mbylljen e kapitujve të tjerë. Njëkohësisht, duhet që të shohim përqendrim dhe përparim të vazhdueshëm në fushat kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të arrijë objektivin e saj ambicioz, por të realizueshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, tha Kos.

Kos iu referua edhe protestave duke kërkuar dialog mes palëve.

“Ne e dimë se çfarë kërkojnë protestuesit. Ne e dimë se ka një dallim mes protestuesve të dhunshëm dhe atyre që kanë nisur të demonstrojnë apo protestojnë me një qëllim të qartë. Procesi i anëtarësimit është ndërtuar në atë mënyrë që vendi nuk mund të ecë përpara nëse nuk përmbush detyrimet. Kapitulli 27 që ka të bëjë me mjedisin është një nga kapitujt më kërkues, në rastin e Shqipërisë.  Tani është në dorë të qeverisë për ta përditësuar ose për të hartuar legjislacion të ri, për të bërë ndryshime në të, si dhe për të ndryshuar ligjin për investimet strategjike. Në fakt, kjo është pikërisht ajo që duan protestuesit.  Presim dialog mes qeverisë dhe palëve të interesuara. Ky është parimi mbi të cilin, në thelb, është ndërtuar procesi i anëtarësimit”, tha Kos.

Me vendosjen e vitit 2027 si afat për mbylljen e negociatave Komisioni Evropian vlerëson objektivin e qeverisë shqiptare e cila synon po ashtu anëtarësimin e plotë në vitin 2030.

/tvklan.al