Këngëtarja ikonë Céline Dion njoftoi të hënën, 30 mars, në ditëlindjen e saj, se do të rikthehet në skenë këtë vjeshtë me 10 koncerte të planifikuara në Paris, të shpërndara gjatë muajve shtator dhe tetor.
Ky njoftim i shumëpritur erdhi pas një fushate reklamuese në rrugët e Parisit, e cila kishte nxitur spekulime se ylli frankofon kanadez, i njohur për baladat e saj të fuqishme, do ta bënte rikthimin pikërisht në kryeqytetin francez.
“Ky vit do të më sjellë dhuratën më të bukur të jetës sime. Do të kem mundësinë të vij t’ju takoj dhe të këndoj përsëri për ju në Paris duke filluar nga kjo vjeshtë, në shtator”, tha Dion, e cila mbushi 58 vjeç të hënën, në televizionin francez France 2.
Njoftimi u shoqërua njëkohësisht me një shfaqje dritash në Kullën Eiffel. Biletat do të fillojnë të shiten zyrtarisht më 10 prill.
Artistja u bë e famshme në mbarë botën në fund të viteve 1990 me këngën “My Heart Will Go On”, kolonë zanore e filmit të suksesshëm “Titanic”.
Ajo e ndërpreu karrierën në vitin 2022 për arsye shëndetësore, duke bërë të ditur se ishte diagnostikuar me një çrregullim të rrallë neurologjik të quajtur “Stiff-Person Syndrome”, i cili shkakton spazma të forta muskulore dhe i kishte pamundësuar të këndonte.
Si pasojë e diagnozës, ajo fillimisht shtyu dhe më pas anuloi turneun e saj “Courage World Tour”.
Një nga artistet më të suksesshme të të gjitha kohërave për nga shitjet e albumeve dhe të ardhurat nga koncertet, Dion ka performuar për vite me radhë në Las Vegas, ku mbajti dy rezidenca shumë të suksesshme që sollën fitime shumë të mëdha. Ekzaktësisht nga viti 2003 deri në 2007-ën dhe nga 2011-a deri në 2019-ën, të cilat në atë kohë konsideroheshin ndër më fitimprurëset në histori.








Ajo u rikthye për herë të parë pas dy vitesh mungese gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike 2024, ku interpretoi këngën “Hymne à l’amour” të Edith Piaf. Ishte kjo performancë që “rindezi” spekulimet se ajo mund të rikthehet një ditë në skenat e mëdha në mbarë botën…dhe kështu ndodhi!
Welcome back Celine Dion! ❤︎












Botërori 2026 
