Safet Bajri rikthehet në dyert e policisë së Shkodrës. Këtë herë shkak u bë makina me të cilën ai lëvizte, e cila ishte e blinduar. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se pas verifikimeve rezultoi se Bajri nuk kishte autorizim për të qarkulluar me një mjet të tillë. Sipas gazetares Glidona Daci, pas shoqërimit në polici ai u la i lirë. Megjithatë autoritetet i bllokuan automjetin në fjalë dhe i vendosën edhe gjobë.    

“Shërbimet e Policisë, gjatë zbatimit të planit të masave për parandalimin e kriminalitetit dhe për goditjen e paligjshmërive, në qytetin e Shkodrës, shoqëruan në ambientet e DVP Shkodër, një automjet të blinduar. Pas verifikimeve rezultoi se drejtuesi i automjetit, shtetasi Safet Bajri alias Safet Rustemi, banues në fshatin Dobraç, Shkodër, qarkullonte i papajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent. Drejtuesit të automjetit iu vendos masë administrative, konform Kodit Rrugor, si dhe u zbatua masa plotësuese për bllokimin e automjetit tip “Mercedes Benz” dhe do nisin procedurat e konfiskimit”, tha policia në një njoftim për mediat.

Safet Bajri është një prej pjesëtarëve të fisit Bajri, të akuzuar ndër vite për vepra të ndryshme kriminale, nga vrasjet, trafiku narkotikëve e deri tek gjobëvënia. Në burgjet shqiptare ai vuajti pjesën e mbetur të dënimit me 9 vjet burg, të dhënë nga Belgjika për trafik droge dhe u lirua vitin e shkuar./tvklan.al