Në protestën e zhvilluar këtë të hënë, më 17 nëntor, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli për rolin e foltores në ringritjen e opozitës dhe misionin e saj të ri.

Sipas tij ishte foltorja arsyeja pse u ringrit opozita dhe misioni i ri është shpëtimi i Shqipërisë nga keqqeverisja e kryeministrit Edi Rama.

“Foltorja me qytetarët e shpëtoi opozitën, e ktheu atë në forcë sovrane të shqiptarëve, e ktheu atë në një parti e cila u përball në rrugën e saj me pengesa më të papara, me represionin, me agresionin ndaj saj, por përsëri, sot ajo mblidhet në foltoren e dytë, foltorja që nuk ka më synim të shpëtojë opozitën, por ka mision të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi i krimit.”, tha Berisha.

Më tej, Berisha e akuzoi qeverinë se e ka mbushur zonën e protestës me gardistë dhe trupa sigurie, duke deklaruar se kjo është dëshmi e frikës së kryeministrit Edi Rama.

“Ndaj dhe për të kuptuar pak misionin, hapni sytë si e ka rrethuar me gardistë e ushtarë. Edvin, absolutisht je i pashpresë, fundi yt nga ky shesh do të vijë. Të dashur miq, ne jemi në një regjim i cili dhunon votën e lirë, i cili shtyp opozitën, i cili në të vërtetë është i kalbur nga koka te këmbët, dhe nuk pritet gjë tjetër vetëm qëndrimi ynë, beteja jonë, vendosmëria jonë për ta arkivuar në histori këtë regjim që mendon se do mbahet në këmbë me SKAP-in e partisë, me dhunë, terror, blerje, shitje e pazare. Por idealet janë ideale, janë forcë nukleare e njeriut dhe shoqërisë, së cilës asgjë nuk i reziston. Ndaj ju ftojmë në këtë mision të vazhdojmë betejën tonë si misionarë.”, tha Berisha.

Protesta e 17 nëntorit shënon vazhdimin e aksioneve të shpallura nga Berisha, ndërsa foltorja pritet të mbetet një format i përjavshëm i komunikimit të tij me qytetarët.

/tvklan.al