Një destinacion udhëtimi evropian i nënvlerësuar është gati të zërë vendin kryesor për 2026, duke ofruar plazhe me ujëra ngjyrë bruz, diell dhe çmime të përballueshme si një alternativë ndaj destinacioneve klasike të mbipopulluara.

Kështu nis artikulli i revistës gjermane “Baden24” për vendin tonë e cila shkruan se kur njerëzit mendojnë për destinacione udhëtimi në Evropë, shpesh u vjen ndër mend Greqia apo Kroacia, por në fakt Shqipëria ka luajtur prej kohësh një rol në turizëm.

Vendi që laget nga detet Adriatik dhe Jon me vijën e saj të bukur bregdetare apo peizazhet malore, të ofron ndjesinë e të mos qenit në një zonë pushimesh të mbipopulluar.

“Baden24” ndalet edhe tek çmimet që ofron vendi ynë kundrejt destinacioneve të tjera europiane. Akomodimi, ushqimet në restorant dhe shumë oferta lokale janë shpesh më të lira në Shqipëri sesa në destinacionet klasike mesdhetare.

Në të njëjtën kohë, vendi po fiton në renditjet si ato nga “HelloSafe” që e nxjerrin në pah Shqipërinë si një destinacion udhëtimi veçanërisht unik në Evropë.

Shqipëria ofron bregdet spektakolar në rivierën e saj me destinacione si Ksamili, Himara dhe Dhërmiu qe janë të njohura për ujërat e tyre të pastra dhe gjiret e izoluara. Sipas “HelloSafe”, vendi gjithashtu shënon rezultate pozitive në aspektin e kostove, klimës, sigurisë dhe aktiviteteve.

Revista gjermane “Baden24”, shkruan ndër të tjera se ata që kërkojnë më shumë sesa thjesht plazhe do të gjejnë arsye shtesë për të vizituar Shqipërinë. Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s si Berati, Gjirokastra dhe Butrinti, kryeqyteti Tirana plot gjallëri, si dhe malet dhe parqet natyrore e bëjnë Shqipërinë një destinacion të larmishëm.

Pikërisht për këtë arsye vendi konsiderohet një zgjedhje e jashtezakonshme në vitin 2026, jo si një perlë e fshehur perfekte, por dhe si një destinacion udhëtimi me rritje të shpejtë në Mesdhe.

Në përmbyllje të artikullit gjermanja “Baden24” nënvizon se forca e Shqipërisë në vitin 2026 qëndron tek fakti se kombinon pushimet në plazh, kulturën dhe natyrën në një paketë të plotë që për shumë udhëtarë duket si një lehtësim i jashtëzakonshëm.

Klan News

/tvklan.al