Mediat italiane i kanë bërë jehonë lajmit që portieri i Cagliari, Elia Caprile, u pajis me pasaportë shqiptare, duke ngritur një kambanë alarmi se ai mund të zgjedhë të luajë për Kombëtaren kuqezi në të ardhmen.
E përditshmja sportive Gazzetta dello Sport bën një analizë më të detajuar të situatës, teksa në titullin e saj shkruan: “Caprile bëhet shqiptar”. Teksa ngre pyetjen nëse mund të ndryshojë kombëtare, shpjegon edhe mënyrën se si ndodh kjo gjë, duke nënvizuar se duhet një leje e veçantë nga FIFA. Kjo leje merret nëse ke lindur në territorin e kombit që kërkon të përfaqësosh, të kenë lindur prindërit ose gjyshërit, ose të kesh jetuar për disa vite aty.
Dhe nisur pikërisht nga këto kushte, që për momentin Caprile nuk i plotëson, Sportmediaset raporton se grumbullimi i tij me Kombëtaren shqiptare është në dyshim.
Eurosport shpjegon gjithashtu se fakti që 25‑vjeçari është grumbulluar disa herë me Kombëtaren italiane nuk e pengon që të ndryshojë skuadër, pasi ai ende nuk e ka bërë debutimin me axurrët.
“Caprile i shkel syrin Shqipërisë”, shkruan Rai, teksa raporton se portieri italian ka pak shanse për të qenë protagonist me Kombëtaren e tij për shkak të konkurrencës.
Gardiani i Cagliari-t e mori pasaportën pasi bashkëshortja e tij është shqiptare.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
