Strategjia për mirëmenaxhimin e burimeve ujore, ka qenë edhe tema kryesore e konferencës së katërt ministriale, për ujërat në rajonin Mesdheut.

Gjatë kësaj konference të zhvilluar në Spanjë ka qenë i pranishëm edhe Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu.

Në konferencë Mediu ka prezantuar përpjekjet e qeverisë për mbrojtjen dhe administrimin  burimeve ujore në Shqipëri.

Fatmir Mediu: “Natyrisht do të shkojë nga një strategji nacionale që do të ketë gjithë, secili vend përfshirë edhe Shqipërinë, në një strategji të integruar për menaxhimin e ujerave në nivelin mesdhetar. Besoj që brenda këtyre Shqipëria do të gjejë elementët e vetë për të marrë të gjitha masat, që në planin e integruar të menaxhimit të ujërave që do të ketë, të bëjë përputhjen e plotë si në procesin e mitigimit, por dhe në analiza të tjera të implementimit të kësaj strategjie, e cila do të shoqërohet me një grup ekspertësh dhe teknikësh të cilët do ta detajojnë në detaje këtë marrëveshje”.

Gjatë qëndrimit në Spanjë, ministri Mediu ka zhvilluar edhe takime me homologë të tij si ai italian, francez dhe spanjoll.

Në takimin me Ministren e Mjedisit të Spanjës, Elena Espinoza, është diskutuar për bashkëpunim bilateral në menaxhimin e pyjeve dhe të ujërave.

Fatmir Mediu: “Mendoj që janë sektorë jashtëzakonisht të rëndësishme, që lidhen me kualitetin tonë të jetës dhen këtë pikëpamje mendoj që jam në hapa pozitivë drejt procesit tonë të integrimit Evropian në një kualitet tjetër siç është kualiteti mjedisor, për të garantuar një zhvillim të ardhshëm dhe të qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare në përputhje me rregullat dhe normat mjedisore që ka paracaktuar BE në direktivat e veta”.

Ky takim është tepër i rëndësishëm, pasi i paraprin atij të qershorit, ku do të jenë të pranishëm krerët e shteteve të Mesdheut./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi

/tvklan.al