Gjykata e Lartë në një vendimmarrje të saj ka sqaruar se gjyqtari që kontrollon hetimet paraprake nuk mund të bëhet gjyqtar themeli për të dhënë vendim. Ky argument u përdor nga mbrojtësit e ish-ministrit Fatmir Mediu për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes. Kjo kërkesë është rrëzuar nga GJKKO.

“Gjykata e Lartë çmon që të gjitha aktet gjyqësore të realizuara nga një gjyqtare që ka përfituar cilësinë e gjykimit material tej ose pas vlerësimit paraprak si gjyqtare e seancës paraprake të së njëjtës çështje, konsiderohen nul dhe absolutisht të pavlefshme”, deklaroi avokati Ardian Visha.

Gjatë fjalës së tij ish-ministri i mbrojtjes theksoi se procesi ndaj tij është politik dhe se ministri i mbrojtjes është funksion me karakter civil dhe jo ushtarak.

“Procesi ndaj meje nuk ka të bëjë me asnjë veprim apo vendim që lidhet me tragjedinë e Gërdecit. Fatkeqësisht procesi ndaj meje është vetëm një sajesë politike e cila përpiqet të luajë me tragjedinë. Ministri i Mbrojtjes, sipas Kushtetutës, sipas parimit të vendeve anëtare të NATO-s, sipas ligjit të forcave të armatosura është autoritet civil dhe si i tillë e ka të ndaluar që të merret me çështje ushtarake”, deklaroi Fatmir Mediu.

Avokati Ardian Visha sqaroi se çështja nuk duhet të ishte rifilluar pasi ka kaluar afati 10-vjeçar i hetimit.

“Gjykata e Lartë ka vendosur që nuk ka ndërprerje të parashkrimit. S’mund të krijojmë ligj me vendim unifikues”, pohoi Visha.

Ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu është duke u gjykuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës e kryer në bashkëpunim dhe shpërdorim detyre në kuadrin komandues ushtarak.

Tv Klan

/tvklan.al