Forcat ushtarake meksikane kanë arrestuar Fausto Isidro Meza Flores, i njohur si “El Chapo Isidro”, një prej 10 të arratisurve më të kërkuar nga FBI-ja, si dhe dy drejtues të tjerë të organizatës së tij të trafikut të drogës.

Arrestimi u krye të premten në mbrëmje në Sinaloa, ndërsa operacioni shkaktoi përplasje të armatosura dhe dhunë në disa zona.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, për më shumë se 20 vjet Meza Flores dhe organizata e tij kanë trafikuar sasi të mëdha heroine, metamfetamine, kokaine dhe marihuane drejt SHBA-së.

Ai konsiderohej një prej drejtuesve të kartelit Beltran Leyva, i cili së fundmi ishte bashkuar me fraksionin Los Mayos, në konflikt me Los Chapitos për kontrollin e kartelit Sinaloa.

Operacioni, i koordinuar mes forcave meksikane dhe agjencive amerikane të inteligjencës, shkaktoi bllokime rrugësh, djegie automjetesh dhe shkëmbime zjarri.

Katër ushtarë meksikanë humbën jetën, ndërsa shtatë sulmues u vranë dhe tetë persona u arrestuan.

Autoritetet deklaruan se situata në Sinaloa është vënë nën kontroll, megjithëse në qytetin Guasave mbizotëron ende atmosfera e tensionit, me biznese të mbyllura dhe rrugë të boshatisura.

Tv Klan

/tvklan.al