Merkatoja italiane vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, me Milanin, Juventusin dhe Interin protagoniste të operacioneve të rëndësishme.

Te Milani mbetet e hapur çështja Rafael Leao. Sulmuesi portugez kërkon një aventurë të re dhe interesimi më konkret vjen nga Turqia, me Fenerbahçen dhe Galatasarayn në garë.

Oferta prej 42 milionë eurosh e Fenerbahçes nuk ka bindur kuqezinjtë, të cilët kërkojnë një shitje përfundimtare dhe të paktën 50 milionë euro.

Ndërkohë, Milani ka zyrtarizuar edhe afrimin e mbrojtësit 20-vjeçar Diaëara nga Troyes për 3 milionë euro, i cili pritet të bashkohet me skuadrën e Amorimit në Australi.

Në Torino, Juventusi është shumë pranë rikthimit të Kolo Muani. Pas negociatave të gjata me PSG-në, palët janë afër marrëveshjes për një huazim me detyrim blerjeje rreth 40 milionë euro, plus bonuse.

Bardhezinjtë po punojnë edhe për Joshua Zirkzee, me holandezin që dëshiron rikthimin në Serie A pas eksperiencës së vështirë te Manchester United.

Në listën e Juventusit është edhe Theo Hernandez. Mbrojtësi francez i Al-Hilal po kërkon një rikthim në futbollin europian dhe bardhezinjtë monitorojnë situatën.

Pengesa kryesore mbetet paga e lartë, rreth 20 milionë euro neto në sezon, që mund të bëjë të nevojshme një formulë huazimi me kontribut të klubit saudit.

Ndërkohë, te Interi, pista Cristian Romero është komplikuar.

Negociatat me Tottenhamin janë ngadalësuar dhe pengesa kryesore lidhet me kërkesat ekonomike të mbrojtësit argjentinas, i cili kërkon rreth 6.5 milionë euro neto në sezon.

Për këtë arsye, zikaltërit kanë përshpejtuar operacionin John Stones.

Mbrojtësi anglez, pas dhjetë vitesh te Manchester City, pritet në Milano për vizitat mjekësore dhe firmën mbi kontratë.

Merkatoja mbetet e hapur dhe klubet e mëdha italiane vazhdojnë garën për përforcimet që mund të ndryshojnë ekuilibrat e sezonit të ardhshëm.

Klan News

/tvklan.al