Kur ishim fëmijë, ëndrrat dukeshin të thjeshta.
Dikush donte të bëhej mjek, dikush aktor, këngëtar, mësues apo sportist… Por çfarë ndodh me ato ëndrra kur rritemi?
Pikërisht për këtë temë u diskutua në emisionin e sotëm (26 shtator) “Rudina”, në Tv Klan, ku të ftuar ishin disa personazhe të dashur për publikun në fusha të ndryshme: Anila Konomi (stiliste), Ylli Merja (specialist i bimëve mjekësore), Junilda Karanxha (arkitekte), Bernard Konesha (shef ekzekutiv kuzhine) dhe Nela Maliqi (makeup artiste).
Ata kanë rrëfyer ëndrrat e tyre të fëmijërisë, vështirësitë e hasura dhe rrugëtimin drejt profesioneve që ata ushtrojnë sot.
“Mendova se do të bëhesha infermiere”, stilistja: Mami më sillte parafinë nga spitali, unë i bëja kukulla
Për stilisten Anila Konomi, udhëtimi drejt botës së veshjeve nisi krejt natyrshëm nga frymëzimi familjar dhe dëshira e hershme për të krijuar me duart e saj. Teksa kthehet pas në kohë, ajo kujton se si nisi të zbulonte pasionin që do t’i përcaktonte të ardhmen.
“Kur më pyesnin se çfarë do bëja unë, gjithmonë duke pasur mamin ndihmëse mjeke, mendoja se do bëhesha infermiere, doktoreshë. Absolutisht ndryshuar gjërat. Me dashurinë e gjyshës që më mësoi të qep dhe të zhvilloj estetikën time, fillova, mund të them, që në moshën 12 vjeç që të merresha me gardërobën time. Nuk ekzistonte termi stilist. Në kohën tonë nuk ekzistonte ky lloj termi, por dëshira për t’u marrë me veten, për të qepur, për të krijuar, gjithmonë ka qenë. Dhe gjithmonë mendoja, do bëhem rrobaqepëse. Këtë e kam pasur si ide”, tha ajo.
Në mungesë të lodrave të bollshme të ditëve të sotme, imagjinata e saj fëmijërore gjeti rrugëzgjidhje tejet origjinale për të jetësuar krijimet e para.
“Mendoj se shija dhe krijimi, është një që në ato kohë realizoheshin, sepse nuk është se ka pasur shumë kukulla apo veshje kukullash në treg siç ka sot. Atëherë madje, kukulla bëje vetë. Unë e bëja me parafinë. Për shembull, mamaja ime më sillte parafinë nga spitali dhe unë bëja parafinë”, tha ajo.
“E dija që nuk kisha një të ardhme”, kuzhinieri: Ëndërroja të isha futbollist, prindërit nuk donin
Hapat e parë të shefit të kuzhinës, Bernard Konesha, ishin të lidhur me futbollin, një ëndërr që e shoqëroi gjatë fëmijërisë, edhe pse brenda vetes e ndjente se rruga e tij do të merrte tjetër drejtim.
“Ëndërroja shumë që të isha një futbollist, edhe pse në vetvete e dija që nuk do të përfundoja, sepse e kisha një indicie që nuk do ta vazhdoja gjatë aktivitetin e sportit. Bashkëmoshatarët e mi ishin shumë herë më mirë se unë. Prapë, e dija që nuk kisha një të ardhme, por…”, tha ai.
I gjendur mes dëshirës së prindërve për të ndjekur ekonominë dhe këshillës vizionare të të atit, ai gjeti orientimin e duhur drejt një profesioni me të ardhme të sigurt.
“Ata (prindërit) e kishin gjithmonë dëshirë që të vazhdoja profesionin e tyre, sepse të dy i kam ekonomistë dhe e ushtrojnë si profesion. Edhe për këtë arsye do vazhdoja atë shkollë, por më pas më ka lindur natyrshëm, sepse babai im në atë kohë më tha dua që të vazhdosh drejtimin hoteleri-turizëm. Nuk ka rëndësi çfarë dege zgjedh, e rëndësishme është sepse e di shumë mirë që do jetë një profesion shumë afatgjatë”, tha ai.
“Nuk luaja me kukulla, por dentistesh”, si Junilda Karanxha përfundoi arkitekte
Fëmijëria e arkitektes Junilda Karanxha rrodhi mes dy botëve të ndryshme, por po aq magjepsëse, ku fillimisht ishte profesioni i së ëmës ai që i nxiti kureshtjen.
“Unë kam qenë shumë e lidhur me mamanë. Mamaja ime stomatologe, më merrte me vete dhe mahnitesha fare. I rrija afër mamit, më pranonte dhe si të thuash mahnitesha. E dëgjoja me vëmendje, më kishte lënë pranë tavolinës së saj një dërrasë dhe më jepte dhe ato frezat dhe unë hapja kavitetet e mia. Unë nuk luaja me kukulla, luaja dentistesh. Deri vonë këtë mendova se do bëja”, tha ajo.
Megjithatë, ishte eleganca e punës së të atit ajo që i nguliti në shpirt dashurinë për detajin, vizatimin dhe formësimin e hapësirave arkitekturore.
“Babi im ka qenë konstruktor, inxhinier ndërtimi dhe kemi pasur dhe një teknograf, e prapë i rrija babit afër dhe më pëlqente ai procesi elegant dhe delikat. I adhuroja duart e babait tim në mënyrën se si mbante rapidin dhe krijonte ato linjat. Më kanë influencuar shumë këto momente, këto mënyra të të punuarit të dy profesioneve, saqë unë mendoj se këtë kam kultivuar, pjesën e detajit, pjesën e gjësë fine”, tha ajo.
“Vazhdo shkollën, lëri këto gjëra”/ Makeup-artistja ndoqi Administrim-Biznesin për hatër të babait
Krejtësisht e kundërt ka ndodhur për makeup-artisten, Nela Maliqi. Që në fëmijëri, ajo e ndjente fort thirrjen e artit dhe estetikës, teksa skiconte fustane dhe thurte ëndrra për botën e modës.
“Faktikisht unë kam pasur gjithmonë një ëndërr. Ne i thoshim aso kohe fashion dizajner. I thoshim se na dukej një shkallë më e lartë kur e cilësonim. Po te kjo e stilistes isha dhe unë, sepse ime më ka qenë me profesionin e rrobaqepëses dhe gjithmonë unë copat e mamit i frekuentoja masivisht për kukullat. Mbaj mend, i kam akoma sot e kësaj dite fletat e 9-vjeçares dhe të gjimnazit që unë skicoja në orën e arteve vetëm fustane dhe isha me atë logon time, me firmën time. Nëse nuk do isha kjo që jam sot, e sigurt do isha në ato fusha”, tha ajo.
Pavarësisht këtyre, për t’i bërë qejfin të atit dhe për të respektuar këshillat familjare, ajo zgjodhi më parë një rrugëtim akademik më tradicional përpara se t’i kthehej pasionit të saj të vërtetë.
“Mami e kishte shumë qejf, babi më thoshte vazhdo shkollën, lëri këto gjëra. Po duke qenë se ishim goca të reja, mes Tiranës, duhej patjetër mendimi i tij/ unë kam mbaruar shkollën Administrim biznesi, vetëm për babin”, tha ajo.
“Do të bëhem intelektual”/ I rritur mes luleve, frymëzimi për specialistin Ylli Merja
Edukimi dhe rritja mes natyrës ngjallën tek specialisti Ylli Merja një ambicie të qartë që në fëmijëri, ku dashuria për tokën ndërthurej me dëshirën për të shërbyer në shoqëri.
“Përgjigjja që jepja unë, me veten time isha i bindur, i vendosur që unë do bëhem intelektual. Më pëlqente të vishesha mirë, të kisha një kostum. E imagjinoja veten mes njerëzve. Më pëlqente puna me njerëzit, por më pëlqente dhe bujqësia. Unë i ndiqja shumë këto bimët dhe ato që kultivoheshin”, tha ai.
Rrëfimet e tyre tregojnë se ëndrrat e fëmijërisë nuk zhduken gjithmonë. Ndonjëherë ato marrin një tjetër formë, ndonjëherë shtyhen për më vonë, e herë të tjera bëhen pikërisht udhërrëfyesi që na çon drejt asaj që duam të bëhemi. Pavarësisht rrugës që zgjedhim, një pjesë e fëmijës që kemi qenë vazhdon të jetojë brenda nesh.
/tvklan.al












Botërori 2026 
