Brooklyn Beckham dhe bashkëshortja e tij, aktorja Nicola Peltz, nuk fshehin më dëshirën për të hedhur hapin e madh drejt krijimit të një familjeje. Në një intervistë të sinqertë për Glamour Germany, çifti tregoi publikisht për herë të parë se ëndërrojnë të bëhen prindër.

Ndërkohë që spekulimet për një marrëdhënie të ftohtë me David dhe Victoria Beckham vazhdojnë të trazojnë faqet e mediave rozë.

Prej  më shumë se katër vitesh së bashku, Brooklyn dhe Nicola folën me emocione për dashurinë e tyre dhe për planet që duan të ndërtojnë bashkë.

“E shoh me fëmijët tanë,” tha Brooklyn me një buzëqeshje të butë, ndërsa vështrimi i tij u ndal te Nicola, të cilën e përshkroi si një “nënë të ardhshme të mrekullueshme”. Nicola, pa hezitim, ia ktheu: “E shoh babanë e ardhshëm të fëmijëve të mi.”

Brooklyn ndau gjithashtu një detaj që për të është domethënës: mënyra si Nicola kujdeset për katër qentë që kanë bashkë.

“Mënyra si ajo kujdeset për ta më tregon se do të jetë nëna më e mrekullueshme,” tha ai, duke lënë të kuptohet se ajo tashmë ka instinktin e një nëne të përkushtuar.

Por pas këtij imazhi të ëmbël dhe të dashuruar, intervista risolli edhe një tjetër temë që prej kohësh përflitet në mediat britanike, pikërisht tensionet mes çiftit të ri dhe familjes Beckham. Nicola Peltz është përmendur shpesh si një nga arsyet që Brooklyn është larguar nga lidhja e tij e dikurshme e ngushtë me prindërit.

Edhe pse ai mori pjesë në 50-vjetorin e Victorias, mungesa e çiftit në festimet e fundit të ditëlindjes së saj të 51-të nuk kaloi pa u vënë re dhe shërbeu si karburant për spekulimet rreth një përçarjeje më të thellë.

Për më tepër, një detaj tjetër i vogël, por simbolik, ka ndezur sërish debatet: numri “23” në emrin e sipërmarrjes së tij të re “Cloud 23”. Nëse më parë thuhej se ishte një homazh për David Beckham, i cili e ka mbajtur këtë numër në fanellë gjatë periudhës te Real Madrid dhe LA Galaxy këtë herë Brooklyn zgjodhi të japë një shpjegim tjetër: “23 është data e fejesës sonë dhe mosha që isha në atë kohë.” Asnjë përmendje për të atin.

Duke iu rikthyer temës së marrëdhënies së tyre, Brooklyn dhe Nicola theksuan se janë mësuar me “zhurmat” e jashtme dhe kanë mësuar të mos ndikohen. “Ne i injorojmë zhurmat. Punojmë shumë, jemi të sjellshëm dhe përqendrohemi te njëri-tjetri. Ajo që ka rëndësi është që jemi të lumtur,” deklaroi Brooklyn.

Në sfondin e të gjitha këtyre zhvillimeve, çifti ka vendosur të kërkojë mbështetjen e një figure të fortë ligjore për të mbrojtur imazhin e tyre në publik: avokatja Jenny Afia, e njëjta që përfaqëson Princin Harry dhe Meghan Markle. Eksperte në menaxhimin e reputacionit dhe pjesë e firmës së njohur ligjore Schillings, Afia pritet të jetë mburoja e tyre kundër pasojave të famës dhe vëmendjes publike./tvklan.al