Ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar për herë të parë në rrjetet sociale, pas betimit të tij në Pallatin e Brigadave përpara presidentit të Republikës, lidhur me marrjen e kësaj detyre.
“Për dikë që ka shërbyer me devotshmëri për më shumë se tre dekada e gjysmë si nëpunës publik dhe si anëtar i Shërbimit të Jashtëm, nuk ka nder më të madh sesa ngjitja në përgjegjësinë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë.
Dua të falënderoj Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj për besimin që më kanë dhënë, një privilegj të madh por edhe detyrim i lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë.”, shkruan ai.
Mes të tjerash, ai premton se do të punojë me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, i udhëhequr nga interesi kombëtar. Hoxha shton: “Do të punojmë që Shqipëria të jetë gjithnjë e më e respektuar, më e dëgjuar dhe më e suksesshme, në hapësirën euroatlantike dhe arenën globale.”
Ministri Hoxha kujton eksperiencën e tij të gjatë në shërbimin diplomatik, duke theksuar se kjo i ka dhënë mundësinë të shohë nga afër rritjen e peshës dhe besueshmërisë së vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
“Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur nderin ta përfaqësoj flamurin kuq e zi në organizata ndërkombëtare dhe kryeqytete të rëndësishme, me bindjen e palëkundur se shërbimi ndaj vendit është detyra më e lartë e një nëpunësi publik. Kjo përvojë më ka dhënë mundësinë të shoh nga afër se sa shumë është rritur pesha dhe besueshmëria e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, dhe se zëri ynë dëgjohet sot me më shumë respekt dhe vëmendje.
Se së bashku me kolegët e mi në Shërbimin e Jashtëm dhe me të gjitha institucionet e përfshira në hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur me dinjitet misionin tonë në shërbim të Republikës së Shqipërisë, duke jetësuar përparësitë e programit të qeverisë në politikën e jashtme, në zemër të të cilit qëndron pakthyeshëm procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”, shkruan ministri.
Ministrat e rinj të qeverisë “Rama 4” u betuan sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke marrë zyrtarisht postet. Ndryshimet në qeveri u miratuan një ditë më parë në Kuvend me votat e vetë socialistëve.
Ferit Hoxha

Ferit Hoxha i cili më parë ka mbajtur rolin e ambasadorit të Shqipërisë në BE vjen pikërisht në postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin.
Ai u diplomua në vitin 1988 në Fakultetin e Gjuhëve te Huaja; Gjuhë dhe Kulture Frënge, Universiteti i Tiranës, Shqipëri. Ai gjithashtu është diplomuar edhe në Institutin Holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael”, Hagë. Eksperiencën e parë si diplomat ai e nisi në vitin 1991, në Ministrinë e Jashtme.
Më pas në vitin 1998 emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, shef i Misionit të RSH-së pranë Bashkimit Evropian, Bruksel, post të cilin e mbajti deri në vitin 2001. Më pas në vitet 2001-2006 emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së pranë Republikës Franceze, Paris dhe në vitet 2003-2006 ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Republikën Portugeze, me rezidencë në Paris. Nga viti 2006 deri në vitin 2009 është sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në vitin 2009 emërohet ambasador i Shqipërisë në OKB, por është gjithashtu i akredituar si ambasador edhe për Kubën.












Botërori 2026 
