Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 janë mbledhur në Paris për një takim dy ditor, ku në fokus janë lufta në Ukrainë dhe tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio është gjithashtu i pranishëm në Paris, krahas kryediplomatëve nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia.

Ndryshe nga takimi i marsit ku qëndroi vetëm një ditë, Rubio do të jetë i pranishëm të dyja ditët e takimit, që u zhvendos nga Marseja në Paris në momentin e fundit.

Takimi përkon me fillimin e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës në 10 nëntor në Abu Dabi.

Shtetet e Bashkuara po ndërmjetësojnë negociatat, ndërsa Europa ka theksuar se Kievi nuk duhet të detyrohet të pranojë kushte të pafavorshme.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul theksoi se Ukraina do të vendosë vetë për të ardhmen e saj, ndërsa shtoi se Europa duhet të jetë prezente në tryezën e bisedimeve.

“Nuk kam asnjë dyshim se ne ndajmë të njëjtin qëndrim se, në fund të fundit, Evropa duhet të ketë një vend në tryezë, sepse këtu bëhet fjalë pikërisht për qëndrimet evropiane. Dhe është krejtësisht e qartë se vetëm Ukraina mund të vendosë për të ardhmen e saj. Me fjalë të tjera, çështja e kushteve nën të cilat Ukraina mund të arrijë një marrëveshje paqeje do të vendoset në Kiev, dhe askund tjetër”, tha Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul.

Takimi në Paris ofron mundësinë e parë për aleatët e Uashingtonit që të vlerësojnë nëse humbja e Presidentit Donald Trump në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA do të sjellë ndryshime në qasjen e administratës ndaj Ukrainës, Iranit dhe marrëdhënieve me partnerët e saj më të ngushtë.

Klan News

/tvklan.al