Ministrat e Jashtëm të Sllovenisë dhe Italisë Samuel Zbogar dhe Franko Fatini i kanë dërguar një letër homologut të tyre belg Steven Vanackere, ku i kërkojnë mbështetjen e integrimit të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian dhe përmbylljen e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën.

Brenda fundit të  vjeshtës së këtij viti në letër kërkohet t’i kalohet Komisionit Evropian aplikimi i Serbisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, planifikimi i bllokut për lehtësimin e dialogut Prishtinë Beograd  dhe hyrja në fuqi brenda fundit të vjeshtës 2010 të regjimit të lirë të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Për dy ministrat është esenciale përmbyllja e këtij procesi në përputhje me propozimin lëshuar nga komisioni evropian më 27 Maj.

Sipas tyre duhet siguruar një grafik kohor pune që në fund të vjeshtës së këtij viti të hyjë në fuqi regjimi i lirë i vizave.

Një rezultat pozitiv dhe një implementim i shpejtë i këtij procesi  do tu dërgonte një mesazh të fuqishëm Shqipërisë dhe Bosnjës dhe do të shërbente si një nxitje për reforma të mëtejshme të orientuara drejt bllokut.

Letra e ministrave përfundon me vlerësimin se progresi  i integrimit të Ballkanit perëndimor është një prioritet strategjik i BE-së në tërësi dhe se është një mjet i fuqishëm për demokracinë, paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e vendeve të rajonit duke i ndihmuar ato të tejkalojnë përfundimisht  problemet e së shkuarës./tvklan.al

/tvklan.al