Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut synojnë një kandidaturë të përbashkët për përfshirjen e rajonit të Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Nisma u diskutua nga ministri Blendi Gonxhja gjatë takimit me ambasadoren e re të Greqisë në Shqipëri, Lambrini Komini. Shqipëria ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur dhe çuar përpara këtë proces, i propozuar nga Ministria e Kulturës e Greqisë.
Përtej nominimit, kjo nismë synon të rrisë mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë natyrore e kulturore të Prespës. Projekti pritet të krijojë mundësi për zhvillim të qëndrueshëm, turizëm cilësor dhe përfshirje më të madhe të komuniteteve lokale.
Tre vendet synojnë që Prespa të shndërrohet në një model europian të bashkëpunimit ndërkufitar, ku natyra, kultura dhe turizmi shërbejnë si ura bashkëpunimi dhe zhvillimi rajonal.
Postimi i ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja
Në takimin me Ambasadoren e re të Greqisë në Shqipëri, Lambrini Kominin, diskutuam nismën për kandidaturën e përbashkët të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, për nominimin e rajonit të Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe çështje të tjera me interes reciprok.
E mirëpresim këtë nismë të propozuar nga Ministria e Kulturës e Greqisë dhe jemi të gatshëm ta çojmë përpara së bashku.
Ky proces shkon përtej vetë nominimit: sjell më shumë vëmendje ndërkombëtare, mbrojtje dhe promovim të trashëgimisë, zhvillim të qëndrueshëm, turizëm cilësor dhe mundësi të reja për komunitetet lokale.
Prespa është një pasuri që e ndajmë mes tri vendeve, por mbi të gjitha një përgjegjësi dhe mundësi që na bashkon. Synimi ynë është ta kthejmë në një model europian të bashkëpunimit ndërkufitar, ku natyra, kultura dhe turizmi bëhen ura mes vendeve tona dhe motorë zhvillimi për të gjithë rajonin.
/tvklan.al












Botërori 2026 
