Qeveria shqiptare, nëpërmjet ministrit Ruli ka nënshkruar kontratën për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë me kompaninë çeke CEZ. Për 102 milionë euro kompania çeke bën të vetat 76% të aksioneve të OSSH-së, duke marrë përsipër rritjen e performancës së kësaj ndërmarrjeje

Genc Ruli: “Kemi zgjedhur një investitor që jo vetëm ka garancitë financiare për të kryer investimet e nevojshme për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në furnizimin me energji elektrike, por mendoj se ka dhe eksperiencën dhe motivimin e duhur dhe marrja e një çmimi që tejkalon ndjeshëm vlerën e asaj të vetë kompanisë në mesin e një krize të madhe financiare mbarë botërore. Është gjithashtu një tregues i rëndësishëm i suksesit të këtij transaksioni”.

Banka Botërore e ka vlerësuar procesin e privatizimit.

Camille Nuamah: “Kjo marrëveshje është më e rëndësishmja jo vetëm për procesin kompleks, por dhe për çështjet e përfshira. Shqiptareve në terma afatmesëm do t’u ofrohet energji pa ndërprerje dhe duke shmangur padrejtësinë që një pjesë paguajnë dhe të tjerë jo. Humbjet duhet të ulen dhe të ardhurat të rriten, kjo është sfida më e madhe”.

Përfaqësues të kompanisë çeke me një eksperiencë në mjaft vende të Evropës juglindore, thanë se ende disa pika të kontratës janë duke u negociuar.

Vladimír Schmalz: “Marrëveshja nuk është mbyllur akoma, çështja e tarifave do të negociohet dhe brenda 90 ditëve do të vihet me një plan biznesi ku do të jenë të saktësuar edhe çmimet e energjisë për konsumatorët. Ne do të investojmë qindra milionë euro për të garantuar energji pa ndërprerje”./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro