29 shtator 2026 – Ekonomia shqiptare vijoi rritjen edhe në tremujorin e dytë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 3.61% në terma realë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me tre muajt e parë të vitit, ekonomia u zgjerua me 0.80%.
Të dhënat u njoftuan këtë të martë edhe nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat. Ajo deklaroi se ekonomia shqiptare ka vijuar të shënojë rritje të qëndrueshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.
“Në tërësi ekonomia shqiptare u rrit me 3.612%, një ecuri në mesataren e rritjes tremujore të gjatë gjithë viteve post pandemisë. Kemi pasur rritje të qëndrueshme dhe një konsolidim të mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik. Kemi pasur zhvillime pozitive, zgjerim të kërkesës dhe ecuri pozitive të investimeve”, tha ajo.
Sipas INSTAT, kontributin më të madh në rritjen e ekonomisë e dha grupi i administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë, me 1.38 pikë përqindje. Aktiviteti i këtij grupi u rrit me 12.14% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.
Një tjetër kontribuues i rëndësishëm ishin taksat neto mbi produktet, të cilat u rritën me 8.45% dhe i shtuan rritjes së PBB-së 1.13 pikë përqindje.
Ministrja foli edhe për platformën “Pasqyra e Çmimeve”, e cila pritet të jetë online brenda 10-ditëshit të parë të tetorit. Në fazën e parë, platforma do të përfshijë 160 produkte, ndërsa aktualisht po bëhet rakordimi me rrjetet kryesore të marketeve për listën përfundimtare.
Sipas Ibrahimajt, në platformë do të përfshihen produktet kryesore të shportës, ushqimet dhe mallrat që përdoren më së shumti nga familjet shqiptare.
“Sa i përket Pasqyrës, është një nismë e re që kemi ndërmarrë. Ne jemi duke punuar për të ndërtuar platformën, e cila është në fazat përfundimtare të përgatitjes. Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit platforma të jetë live me një numër prej 160 produktesh. Jemi duke rakorduar me marketet kryesore listën finale të produkteve, e cila do të përbëhet nga produktet kryesore të shportës, ushqime dhe mallra që përdoren më së shumti nga familjet shqiptare”, tha Ibrahimaj.
Krahas “Pasqyrës së Çmimeve”, ministrja bëri të ditur se po punohet edhe me rrjetet e supermarketeve dhe furnitorët për një listë produktesh që do të tregtohen për një periudhë tre mujore me çmime fikse dhe me fitim minimal.
“Jemi duke punuar gjithashtu me rrjetin e supermarketeve dhe furnitorëve me qëllim detajimin e një liste për të cilën ata kanë vendosur të tregtojnë për një periudhë 3-mujore, me çmime fikse dhe me fitim minimal. Të dyja këto do të jenë live brenda 10-ditëshit të parë të tetorit”, tha ministrja.
Në konferencën për shtyp, Ibrahimaj foli edhe për investimet e huaja direkte, borxhin dhe importet. Sipas saj, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, fluksi i investimeve të huaja direkte arriti në 1.14 miliardë euro, ndërsa stoku i tyre shkoi në 18.42 miliardë euro. Fluksi i investimeve të huaja në këtë periudhë ishte 50% më i lartë se një vit më parë.
Megjithatë, mbi gjysma e investimeve të huaja u përqendruan në sektorin e pasurive të paluajtshme. Sipas të dhënave të bëra publike nga ministrja, 53.3% e investimeve shkuan në sektorin e real estate. Sektorët e tjerë ku pati flukse investimesh të huaja ishin financa dhe sigurimet, tregtia, energjia, informacioni dhe komunikacioni.
Sa u përket vendeve të origjinës, Austria kryesoi për fluksin e investimeve të huaja, me 121.9 milionë euro, ose rreth 80% më shumë. Pas saj renditet Turqia me 111.6 milionë euro. Ndër vendet e tjera me flukse të larta investimesh u përmendën Italia, Holanda dhe Kosova.
“Importet kanë ardhur me rritje. Në tremujorin e dytë ato janë rritur me 7,55%. Të gjithë komponentët kryesorë kanë pasur ecuri pozitive. Borxhi, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2025, është reduktuar me 5 pikë përqindje, nga 54% në 49%. Sa u takon investimeve të huaja direkte, në 6-mujorin e parë të vitit 2026 kemi pasur një fluks prej 1,14 miliardë eurosh, ndërsa stoku ka arritur në 18,42 miliardë euro. Fluksi në këtë 6-mujor është 50% më i lartë se ai i vitit të kaluar”, tha Ibrahimaj.
Sipas të dhënave të prezantuara, ekonomia shqiptare e mbylli tremujorin e dytë me rritje vjetore 3.61%, ndërsa investimet e huaja dhe konsumi vijojnë të jenë ndër faktorët që ndikojnë në aktivitetin ekonomik. Në të njëjtën kohë, ulja e borxhit dhe rritja e importeve janë ndër treguesit e tjerë të evidentuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.
/tvklan.al












Botërori 2026 