30 korrik 2026 – Është miratuar leja e parë e Paketës së Maleve, në Theth, për familjen Hasani.

Lajmin e bën të ditur vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale.

Rama shkruan se kjo familje ka vendosur të investojë në tokën e tyre e lënë trashëgimi, e të mundësojë rikthimin e tyre në Shqipëri.

“Kjo është Paketa e Maleve, paketa e trashëgimtarëve që tanimë me ligj e jo veç me zakon, mund të rilindin shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve apo jetëzojnë me agroturizëm, prodhim bujqësor a blegtoral si edhe agropërpunim, tokat e të parëve të tyre”, shkruan Rama në rrjete sociale.

Kryeministri ka shpërndarë gjithashtu dhe disa pamje, projekt për të cilin u miratua leja këtë të enjte.

Më herët, zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, u shpreh se deri mw sot janë miratuar 1 mijë e 200 aplikime. Ajo theksoi se Paketa e Maleve synon të përfshijë edhe shqiptarët e diasporës që zotërojnë prona të trashëguara në vend dhe rikthimin e tyre në atdhe.

Ndërkohë, disa ditë më parë, Rama sqaroi dhe disa nga pikëpyetjet e ngritura për Paketën e Maleve, me “ndihmën” e ChatGPT.

Në këtë sqarim, theksohej se ligji nuk vlen për oligarkët apo investitorët e huaj. Qëllimi kryesor është zgjidhja e problemit të pronësisë së tokave të trashëguara në zonat malore.

Kjo paketë duhet të plotësojë një kusht kryesor, që personi duhet të provojë se e ka poseduar realisht tokën për të paktën dhjetë vite. Kështu, pronarëve u jepet mundësia e formalizimit të pronës dhe zhvillimit ekonomik të saj.

Paketa e Maleve është një nismë ligjore dhe zhvillimore e qeverisë shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit.

Në fazën e parë të shpalljes së kësaj nisme, 4 mijë persona shfaqën interes për të investuar. Numri më i madh i aplikimeve vinte nga qarku i Shkodrës.