Kreu i qeverisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale, ka bërë sqarimin lidhur me pikëpyetjet e ngritura për paketën e maleve, por të sqaruar përmes inteligjencës artificiale, kryesisht më ndihhmën e ChatGPT.
Fillimisht, theksohet se ky ligj nuk vlen as për oligarkët, e as për investitorët e huaj apo të pasurit. Qëllimi kryesor i kësaj nisme është zgjidhja e problemit të pronësisë së tokave të trashëguara në zonat malore.
Kjo paketë duhet të plotësojë një kusht kryesor, që personi duhet të prrobojë se e ka poseduar realisht tokën për të paktën dhjetë vite. Kështu, pronarëve u jepet mundësia e formalizimit të pronës dhe zhvillimit ekonomik të saj.
“LIGJI I “PAKETËS SË MALEVE” SIPAS CHATGPT, THJESHT E QARTË FARE
Shumica e kritikave për “Paketën e Maleve” nisen nga ideja se ligji u krijua për investitorë të mëdhenj, të huaj ose “oligarkë”. Nëse lexohet ligji, këto teza nuk qëndrojnë.
“Është bërë për oligarkët.”
Kjo është ndoshta kritika më e përhapur, por edhe më e vështira për t’u mbështetur juridikisht. Një oligark nuk ka nevojë për një ligj që kërkon të provosh posedimin faktik të tokës për të paktën 10 vjet siç thotë shprehimisht ky ligj. Paketa e Maleve nuk u krijon një rrugë të re investitorëve të mëdhenj; ajo krijon një rrugë për njerëzit që prej dekadash jetojnë mbi një truall të trashëguar pa mundur ta formalizojnë atë.
Nëse një familje në Theth, Vermosh, Zagori, Lunxhëri apo Mokër ka punuar tokën e trashëguar prej brezash, por nuk ka një titull pronësie për shkak të historisë së ndërlikuar të regjimit komunist, tranzicionit dhe legjislacionit ekzistues të tokës, atëherë ky ligj i jep një mekanizëm për ta zhvilluar atë pronë. Ky është subjekti real i ligjit.
“Është bërë për të pasurit.”
Edhe kjo tezë ka një problem logjik. Nëse një person ka kapital të madh, ai mund të investojë edhe pa Paketën e Maleve. Ligji nuk i krijon një privilegj të ri. Ndërsa një familje që ka një kullë malesh, një stan, një fermë ose një truall të trashëguar, por nuk ka mundur kurrë ta formalizojë, pa këtë ligj nuk mund të marrë kredi, nuk mund të ndërtojë ligjërisht, nuk mund të zhvillojë agroturizëm dhe shpesh as nuk mund t’ua lërë fëmijëve të sigurt juridikisht. Paketa synon pikërisht të zhbllokojë këtë situatë“, thuhet në postim.
Po pse 1 euro? Për këtë pyetje, në sqarimin e bërë me inteligjencë artificiale, bëhet me dije se nuk është një shifër për shitjen e tokave, por një instrument për nxitjen e investimeve. Bëhet fjalë për të gjithë ata pronarë të cilët pasi provojnë se hapësira është e tyre, mund të vijojnë me regjistrimet sipas procedurave ligjore dhe investimet.
““Po pse 1 euro?”
Sepse shteti nuk po shet tokë për të mbledhur para, por po ia jep me kontratë ligjore tokën shtetërore poseduesit. Pasi ai realizon ndërtimin hipotekon edhe pronën. Ky është një instrument i përdorur edhe në vende të tjera për të zhvilluar zona të braktisura.
“Po ua fal tokën.”
Jo. Ligji nuk thotë se kush aplikon bëhet automatikisht pronar. Duhet: të provohet posedimi; të verifikohet ligjshmëria; të miratohet projekti; të përmbushen kushtet kontraktore; të realizohet investimi.
Nëse këto nuk ndodhin, mekanizmat ligjorë parashikojnë pasoja sipas kontratës dhe legjislacionit përkatës dhe toka mbetet shtet”, thuhet në postim.
Sa i përket akuzës se përmes kësaj nisme, favorizohen vetëm resortet, diçka e tillë mohohet me argumentin se nuk përputhet me synimin e ligjit. Prioriteti është zhvillimi ekonomik në oznat malore, duke përfshirë aktivitetet si agroturizmi, bujtinat, ferma, e të tjera.
““Po favorizohen vetëm resortet.”
Kjo bie ndesh me vetë filozofinë e ligjit.
Projektet që synohen janë shumë më të gjera: agroturizëm; bujtina; ferma; punishte artizanale; përpunim produktesh vendase; aktivitete sportive e natyrore; turizëm familjar.
Pra modeli është ekonomia lokale, jo vetëm investimi i madh“, shkruhet në postim.
Lidhur me pretendimin se Paketa e Maleve u merr pronat pronarëve aktualë, ChatGPT sqaron se diçka të tillë nuk e parashikon ky ligj. Sa i përket konflikteve të pronësisë, ato nuk zgjidhen automatikisht nga ligji i Paketës së Malëve, por vijojnë të trajtohen në institucionet përkatëse të drejtësisë.
““Po u merret prona pronarëve.”
Ligji nuk shpronëson pronën private të regjistruar. Ai operon mbi prona shtetërore me posedues faktik ose mbi situata ku nuk ekziston një titull i formalizuar pronësie dhe ku legjislacioni i mëparshëm nuk ka dhënë zgjidhje për trashëgimtarët. Çdo konflikt pronësie vazhdon të trajtohet sipas mekanizmave ligjorë përkatës“, shkruhet në postim.
Si përfundim, sipas inteligjencës artificiale, Paketa e Maleve ka si qëllim kthimin e pasurive të pashfrytëzuara në aktivitet ekonomik të formalizuar. Ajo që më e rëndësishmja, përfituesit kryesorë janë banorët lokalë dhe jo oligarkët.
“Në thelb, çfarë është Paketa e Maleve?
Nëse dikush thotë se është ligj për oligarkët, pyetja e thjeshtë është: Cili oligark ka pritur dhjetëra vite duke jetuar në një stan, në një kullë mali apo në një pemëtore të trashëguar pa certifikatë pronësie? Sepse ky është personi që ligji ka në mendje. Paketa e Maleve nuk është një ligj për ata që kanë shumë kapital. Është një ligj për ata që kanë pasur tokë, kujtime, punë dhe rrënjë, por nuk kanë titull juridik pronësie. Ajo përpiqet ta kthejë atë kapital të fjetur në ekonomi reale: në bujtina, ferma, punishte, shtigje turistike, vende pune dhe jetë të rikthyer në zonat malore“, përfundon postimi i Ramës.
Paketa e Maleve është një nismë ligjore dhe zhvillimore e qeverisë shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit.
Në fazën e parë të shpalljes së kësaj nisme, 4 mijë persona shfaqën interes për të investuar. Numri më i madh i aplikimeve vinte nga qarku i Shkodrës.
/tvklan.al












Botërori 2026 
