Të tjera detaje bëhen me dije lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë të premte në shkollën ‘Shën Vlash’ të Durrësit, ku pati një përplasje fizike mes disa nxënësve.
Gazetarja e Klan News Enkeleda Arapi raporton se sherri ka nisur fillimisht në rrjetet sociale mes dy grupeve të nxënësve që ishin ndarë sipas origjinës, Grupi Mirdita dhe Grupi Shënavlash.
Dy grupet e nxënësve kanë shkëmbyer sharje dhe ofendime nga më të ndryshmet në aplikacionin Snapchat dhe ditën tjetër janë përballur për ‘t’u sqaruar’ në shkollë, ku më pas nga sherr verbal kanë kaluar në përplasje fizike. Fatmirësisht askush s’ka mbetur i dëmtuar rëndë, vetëm njëri prej të miturve ka një dëmtim në vetull.
Fillimisht ka ndërhyrë oficeri i sigurisë së shkollës, ndërsa është njoftuar policia, e cila ndodhet në vendin e ngjarjes për të menaxhuar situatën.
“Rreth orës 09:30, në shkollën e fshatin Shënavlash, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin disa nxënës të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç. Me ndërhyrjen e mënjehershme të oficerit të sigurisë dhe stafit pedagogjik, është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit. Nga konflikti është dëmtuar lehtë një 15-vjeçar.”, bën me dije Policia.
Uniformat blu njoftuan se i kanë shoqëruar të miturit në ambientet e Komisariatit të Policisë, për veprime të mëtejshme dhe se të gjitha veprimet po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, në prani të psikologut, përfaqësuesit ligjor, oficerit të sigurisë, përfaqësuesit të stafit pedagogjik dhe prindërve të nxënësve.
/tvklan.al












Botërori 2026 
