Emisioni “Opinion” mbrëmjen e sotme u fokusua në përfaqësimin e Shqipërisë në konkurset botërore të bukurisë.

“Miss Bota” është konkursi më i madh dhe më prestigjoz i bukurisë në të gjithë botën, si dhe ai më jetëgjati. Në fillim ishte një konkurs, ku vajzat sfilonin me bikini në vitin 1951 dhe 1959 u transmetua live dhe nga BBC. Në vitin 1980 pjesëmarrëset filluan që të konkurronin dhe në pjesën që lidhet me personalitetin dhe inteligjencën. Me kalimin e viteve u shtuan dhe vendet, të cilat përfaqësoheshin dhe garonin. Në këtë mënyrë në lëvizje u vunë dhe vende që filluan të lobonin për të marrë sa më shumë vlerësime.

Por “Miss Bota” nuk është i vetmi konkurs i bukurisë, i cili merr vëmendjen më të madhe. “Miss Universe” është gjithashtu një ngjarje e rëndësishme e konkurseve të bukurisë, ashtu sikurse “Miss Toka”, ku Shqipëria ka qenë e pranishme me përfaqësimet e saj. “Miss Europa” është një tjetër përballje mes vajzave të bukura, e cila ka po ashtu një vëmendje të madhe.

Këto ngjarje të përvitshme nuk janë thjesht një garë mes vajzave më të bukura nga vende të ndryshme të botës. Shpesh herë ato kanë qenë mbështetëset e kauzave të mëdha ose kanë garantuar mbledhjen e fondeve, të cilat kanë shkuar kryesisht për fëmijët apo për zonat që kanë qenë në konflikt.

Mbajtëset e këtyre çmimeve kanë qenë shpesh të detyruara të marrin pjesë si ambasadore të paqes në aktivitete në vende të ndryshme të botës. Por ka ndodhur që roli dhe rëndësia e këtyre konkurseve të vihen në diskutim. Pavarësisht kësaj interesi i audiencës mbetet ende i madh.

Shqipëria ka marrë pjesë në këto konkurse pas vitit 1992, pasi konkursi i parë “Miss Albania” është zhvilluar në 31 Janar të këtij viti. Valbona Selimllari është e kurorëzuara e parë e miseve shqiptare, e cila mori pjesë më pas në “Miss Europa.

Por çdo të thotë të përfaqësosh Shqipërinë në konkurset e bukurisë dhe a është publicitet për vendin tonë prania në këto evente?  

Për të diskutuar mbi këtë çështje në emisionin “Opinion” ishin të ftuara gazetarja Iva Tiço, diplomatja dhe fituesja e “Miss Albania 1994” Monika Zguro, gazetari Blendi Salaj, shoqëruesja e parë në “Miss Albania 2004” Vilma Masha, pjesëmarrëse në “Miss Albania 2004” dhe fituesja e “Miss Albania 2005” Suada Sherifi, gazetari Kristi Pinderi, fituesja e “Miss Albania 2004” Agnesa Vuthaj dhe përfaqësuesja e Shqipërisë në “Miss World 2012” Floriana Garo./tvklan.al