Një mbrëmje magjike e bukurisë, elegancës dhe krenarisë kombëtare u zhvillua mbrëmë në Pallatin e Kongreseve, ku spektakli “Miss Universe Albania & Kosova 2025” kurorëzoi dy vajzat që do të përfaqësojnë Shqipërinë dhe Kosovën në skenën më të madhe ndërkombëtare të bukurisë.

Flavia Harizaj, 25 vjeçe nga Fieri, u shpall “Miss Universe Albania 2025”, ndërsa Dorea Shala nga Kosova fitoi titullin “Miss Universe Kosova 2025”, në një garë ku bukuria natyrale, karizma dhe inteligjenca ishin vendimtare.

Spektakli u transmetua drejtpërdrejt në TV Klan, duke sjellë para publikut një produksion madhështor, me skenografi moderne, performanca artistike të nivelit të lartë dhe një organizim të standardeve ndërkombëtare.

25 konkurrente nga të dyja vendet garuan në tre dalje kryesore, ku çdo vajzë solli në skenë jo vetëm hijeshi, por edhe një mesazh të fortë mbi përfaqësimin e grave shqiptare në botë.

Skena u ndez nga performanca të artistëve të njohur shqiptarë, për herë të parë me muzikë live dhe band muzikor, si Era Rusi, Stine, Pandora, Aleksandër Gjoka dhe artistë të rinj, ndërsa spektakli u drejtua me finesë dhe ritëm nga moderatorët Anjola Hamzaj dhe Teni Vllaçaj.

Në krye të jurisë ishte artistja Morena Taraku, e shoqëruar nga personalitete të njohura të modës, medias dhe artit, ndërsa produksioni mbante firmën e producentit Eduart Deda.

Morena Taraku interpretoi ekskluzivizht këngën “i asaj” që ka kënduar në serialin një dashuri. Ky spektakël riktheu në skenë edhe divën e muzikës operistike Inva Mula.

Fitueset do të udhëtojnë për të përfaqësuar Shqipërinë dhe Kosovën në edicionin ndërkombëtar të Miss Universe, i cili do të mbahet më 21 nëntor 2025 në Tajlandë, një skenë ku bukuria shqiptare ka spikatur gjithnjë për origjinalitet dhe hijeshi.

“Miss Universe Albania & Kosova” 2025 nuk është vetëm një garë bukurie, por një festë identiteti, talenti dhe shprese për një brez të ri vajzash shqiptare, të gatshme të përfaqësojnë vendin me dinjitet dhe klas në skenën botërore.

Tv Klan