Moody-s, Agjencia pestigjioze Ndërkombëtare e Vlerësimit të Kreditit, ka përmirësuar perspektivën e ekonomisë shqiptare nga e qëndrueshme në pozitive, por ka mbajtur të pandryshuar notën e vlerësimit “BA3”.

Sipas agjencisë, perspektiva pozitive pasqyron forcimin e pozicioneve fiskale dhe të jashtme të Shqipërisë, si dhe përshpejtimin e zbatimit të reformave strukturore gjatë kohëve të fundit, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndërsa konfirmimi i vlerësimit “Ba3” reflekton performancën solide të rritjes ekonomike, nivelet e moderuara të borxhit publik, qëndrueshmërinë e ekonomisë ndaj një sërë goditjesh gjatë viteve të fundit, si dhe pritshmërinë se rritja do të mbetet solide në periudhën afatmesme.

Sipas kësaj angjencie, ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.6% ne vitin 2026, ndërsa vlerësohet qëndrueshmëria ndaj efekteve të konfliktit në Lindjen e Mesme, falë mbështetjes tek energjia e rinovueshme. 

Edhe borxhi publik parashikohet të vijojë uljen duke zbritur nga  52.9% e PBB-së në fund të vitit 2025 në 50.2% në vitin 2027.

Ky vlerësim për ministrin e Financave Petrit Malaj, është tregues i forcimit të stabilitetit ekonomik dhe reformave të ndërmarra.

“Me fjalë më të thjeshta agjencia po thotë se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur. Prej më shumë se 3 vitesh Shqipëria po regjistron rritje ekonomike të qëndrueshme, rritje të të ardhurave dhe ulje të borxhit publik. Njëherazi reformat që jemi duke ndërmarrë në rrugën drejt BE po japin rezultatet e para dhe që po njihen ndërkombëtarësh”, tha ministri i Financave, Petrit Malaj.

Agjencia vlerëson edhe progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe financimet që vendi po përfiton përmes instrumentave të paraanëtarësimit dhe planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor.

/tvklan.al