Në ditët e përkujtimit të kapitullimit të Gjermanisë naziste, ukrainasit dhe rusët pritet të ulin armët, por Volodimir Zelenski dhe Vladimir Putin nuk bien dakord as se sa ditë duhet të zgjasë armëpushimi.

Ukrainasit dhe rusët pritet të ulin armët gjatë përkujtimit të 81-vjetorit të kapitullimit të Gjermanisë naziste. Mosmarrëveshje mes Volodimir Zelenskit dhe Vladimir Putinit ka megjithatë edhe për kohën kur duhet të nisë armëpushimi.

Presidenti i Rusisë shpalli të hënën datat 8 dhe 9 maj si ditët kur sulmet ruse do të ndalen. Ndërsa ai i Ukrainës tha përmes rrjetit X se nga ana e tyre, ushtarët ukrainas do t’i ulin armët sapo të bjerë mesnata mes 5 dhe 6 majit. Sipas tij, nevojitet një armëpushim më i gjatë që heshtja të japë efekte të vërteta, ndaj duhet parë vlera e jetës njerëzore më tepër se festimet për përvjetore.

Sipas Reuters, banorët dyshojnë se armëpushimi do të respektohet.

Autoritetet ruse kanë marrë të gjitha masat për zhvillimin e paradës, e cila nuk do të jetë aq madhështore sa vitet e kaluara. Pritet një numër i kufizuar ushtarësh dhe makinerish, për shkak të angazhimit me luftën në Ukrainë. Edhe numri i liderëve miq pjesëmarrës nuk do të jetë i lartë. Nga Europa do të jetë vetëm kryeministri pro-Kremlin i Sllovakisë, Robert Fico.

Tv Klan

/tvklan.al