Dhjetëra komuna në veri të vendit mbeten sërish të bllokuara nga dëbora e nga ngricat. Lëvizja është problematike edhe në mjaft akse kryesore rrugore edhe në juglindje.

Policia ka lejuar qarkullimin e automjeteve vetëm me zinxhir në rrugën Kukës-Tiranë, në Qafën e Malit, në rrugën Dibër-Burrel-Milot, Pukë Shkodër e Pukë-Tropojë dhe në atë Përrenjas-Pogradec në Qafën e Thanës.

Probleme ka edhe për shkak të ngricës në rrugën Tiranë-Elbasan, Korçë-Ersekë e Korçë-Pogradec-Përrenjas.

Në Kukës temperaturat e ulëta deri në -9 gradë kanë shkaktuar ngrica në rrugët që lidhin qytetin me disa komuna. Ndërsa në Qafën e Malit trashësia e dëborës arrin në 1.5 m.

Era e fortë po kthehet në një  tjetër problem, pasi bllokon rrugën e hapur në disa segmente të saj, lëvizja në këtë aks kryhet vetëm me zinxhirë. Të pa kalueshme janë rrugët Kukës-Dibër, Kukës-Krumë dhe  Kukës-Tropojë.

Në Dibër dëbora e rënë një ditë më parë ka krijuar shtresa akulli dhe për pasojë lëvizja e automjeteve drejt Tiranës bëhet vetëm me zinxhir, mjaft rrugë dytësore janë të pakalueshme.

Në Qarkun e Shkodrës ngricat mbajnë gjithashtu të bllokuara rrugët që lidhin qytetin me zonat e thella, si Tamarën, Vermoshin, Dukagjinin dhe Iballën e Pukës.

Bora ka izoluar 10 fshatra në komunën e Nojës në malësinë e Krujës. Në këtë zonë është ndërprerë edhe procesi mësimor. Në Milot mbeten të bllokuara 5 komuna, në Elbasan 7 dhe në Skrapar 4 të tjera.

Por moti ka pezulluar dhe lëvizjen e udhëtarëve drejt Italisë, për shkak të erës së fortë dhe detit të trazuar. Lundrimi i trageteve është i pa mundur në linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas.

Në Myzeqe ngricat kanë dëmtuar të mbjellat në sera e fushë në disa fshatra dhe moti nuk premton asgjë ndryshe gjatë ditëve në vijim./tvklan.alGazetare: Xhumelina Dervishi