Raportim Live

Shkodra pas reshjeve: 470 hektarë tokë nën ujë, rruga e Obotit mbetet e bllokuar

Situata pas reshjeve të fundit në territorin e Bashkisë së Shkodrës po shkon drejt stabilizimit, megjithëse rreth 470 hektarë tokë bujqësore dhe kullota mbeten ende nën ujë. Sipas raportimeve të fundit, zona më e prekur është ajo e Velipojës me 250 hektarë, e ndjekur nga Ana e Malit dhe Dajçi, por fatmirësisht nuk raportohen dëme në blegtori apo banesa me prezencë uji. Në Dajç, pjesa më e madhe e sipërfaqes së përmbytur i përket zonave kënetore, të cilat shërbejnë si pika natyrore shkarkimi dhe nuk rrezikojnë aktivitetin bujqësor të zonës.

Pavarësisht rritjes së lehtë të nivelit të lumenjve Bunë dhe Drin me rreth 10–20 centimetra, strukturat e emergjencave njoftojnë se kanalet kulluese janë funksionale dhe po punojnë normalisht. Hidrovoret, me në krye atë të Çasit, janë në gadishmëri të plotë dhe po operojnë me kapacitet maksimal për të larguar ujërat e tepërta. Problem mbetet rruga e fshatit Obot, e cila vijon të jetë e pakalueshme për mjetet e vogla, ndonëse banesat në brendësi të fshatit janë të thata. Specialistët e terrenit dhe strukturat e bashkisë mbeten në monitorim të pandërprerë të situatës për të parandaluar çdo përkeqësim të mundshëm.

Përmbytjet në Durrës, ja si duket hidrovori në Porto Romano

Këto janë pamjet që vijnë nga hidrovori i Porto Romanos. Drejtori i ndërmarrjes që e ka në administrim atë, Alion Hysko u shpreh se ai vijon të jetë në gatishmëri teksa nëntë pompa janë në punë dhe nxjerrin 45 metër në sekond ujë. Ai tha se herë pas here ka pasur bllokime si pasojë e mbetjeve që vijnë.

download app

Koçiu dhe Sako vizitojnë hidrovorin e Porto Romanos

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu dhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emirjana Sako kanë qenë në hidrovorin e Porto Romanos.

Koçiu tha se kritike do jenë 12 orët në vijim, por se më pas do të stabilizohet gjendja. Ajo tha se dëmet do vlerësohen në ish-Kënetë dhe në zona të tjera në Durrës.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako tha se reshjet e shiut kanë qenë në nivele shumë të larta. Sako deklaroi se hidrovori i ri dhe i vjetër janë në punë. Lexo më shumë

“S’kemi dalë nga rreziku”, Vengu shikon nga afër situatën në Vjosë: Hidrovoret funksionojnë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, tha sot në 7 janar se përmasat e rrezikut në grykëderdhjen e Vjosës janë të mëdha.

Ai theksoi se kanalet dhe hidrovoret janë funksionale, por situata mbetet dinamike gjatë natës. Vengu vuri në dukje se ende nuk kemi dalë nga rreziku i përmbytjeve.

Situatë kritike në lumin Vjosë, Mersini: Evakuohen familjet më të rrezikuara

Lumi Vjosë ka arritur nivelin 8.6 metra, duke shkuar në nivele kritike.

Kryetarja e Bashkisë, Brunilda Mersini, tha se situata është kritike, por prurjet tregojnë stabilitet për orët në vazhdim.

Drejtori i Policisë, Elidon Çela, konfirmoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri dhe do të ndërhyjnë sipas nevojës. Lexo më shumë

Në Durrës, në zonën e njohur si ish-Këneta, efektivët dhe mjetet e Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura po vazhdojnë punën për largimin e ujit nga banesa, siç mund ta shihni në videon e mëposhtme:

Rrëshqitje të mëdha dherash, bllokohet aksi Qafë Plloçë-Qukës

Për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe inerteve në aksin Qafë Plloçë-Qukës, qarkullimi i mjeteve është ndalur përkohësisht. Masat janë marrë për largimin e materialeve nga rruga dhe për të shmangur rreziqet, pas një aksidenti me makinë paraditen e sotme.

Policia e Qarkullimit Rrugor Korçë dhe ajo e Elbasanit po orientojnë mjetet drejt rrugëve të vjetra, duke vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe Qukësit për të ndaluar hyrjen në aksin e ri.

Aksi do të qëndrojë i mbyllur deri në pastrimin e plotë të dherave dhe inerteve nga firma kontraktore dhe deri sa rruga të jetë e sigurt për qarkullimin e automjeteve.

Detajet e reja/ Vijojnë reshjet intensive në gjithë Shqipërinë

Reshjet e dendura vijojnë në gjithë Shqipërinë, duke shkaktuar përmbytje dhe probleme në infrastrukturë.

Në Durrës dhe Lezhë ka trafik të rënduar dhe është dëmtuar shëtitorja në Shëngjin, ndërsa në Shkodër dhe Vlorë regjistrohen përmbytje dhe mungesë energjie. Autoritetet janë në terren për të përmirësuar situatën dhe për të ndihmuar banorët e prekur. Lexo më shumë

Reshjet nuk ndalen! Situata kritike në Labovë, Memaliaj dhe Përmet

Në qarkun Gjirokastër, reshjet e shiut vazhdojnë, por me intensitet më të ulët krahasuar me ditën e djeshme.

Bashkia Gjirokastër: Në Labovë e Zhapës, njësia administrative Odrie, dy banesa rrezikohen nga rrëshqitjet e dherave dhe banorët janë evakuuar. Fshatrat Dhoksat (Luxhëri), Tërbuq (Odrie) dhe disa rrugë drejt Krinë, Tranoshisht dhe Saraqinishtë mbeten të bllokuara. Punimet për hapjen e rrugëve do të fillojnë gjatë ditës së nesërme nga Bashkia dhe Ministria e Mbrojtjes. Situata në qytetin e Gjirokastrës po normalizohet pas ndërhyrjes së Bashkisë, Forcave të Armatosura dhe Policisë, që kanë larguar gurët nga rrugët kryesore.

Bashkia Libohovë: Në Libohovë situata është normale, por në njësinë administrative Zagori, rrugët në Topovë dhe Zhej janë të bllokuara për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Furnizimi me energji elektrike ka pasur ndërprerje në disa zona.

Aksi Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, është i kalueshëm vetëm me një korsi.

Bashkia Memaliaj: Situata është normalizuar në Memaliaj Qytet. Në Memaliaj Fshat rrugët janë të kalueshme pas ndërhyrjeve. Problem mbeten përmbytjet e tokave bujqësore në Qesarat.

Bashkia Përmet: Fshati Buhal dhe zona e Frashërit mbeten të bllokuara. Emergjencat po punojnë për hapjen e rrugëve, por prurjet e ujit mbeten të larta.

“Mjekët dhe ekipet shëndetësore në shërbim të banorëve në zonat e prekura nga moti”, shkruan kryeministri Edi Rama në Facebook-un e tij, krahas fotove si më poshtë: