Pa asnjë njeri, rrugë të kthyera “lumenj”, makina të zhytura në ujë dhe qetësi totale. Kjo është pamja që servir qyteti i Durrësit këtë të martë, 6 janar, si pasojë e shirave të rrëmbyer.

Në videon e mëposhtme të bërë me dron, shfaqet qyteti bregdetar nga sipër, i cili tashmë ngjan si një “Venecia e dytë” nga kushtet sfiduese atmosferike të sotme.

Durrësi ka qenë një ndër zonat më të prekura, pasi u paralizua nga përmbytjet. Shkollat pezulluan aktivitetin e tyre.

Kati i parë i burgut të Durrësit u përmbyt. Të gjithë ata që kanë pasur qelinë në këtë kat, janë zhvendosur në të dytin. Ndërkohë rruga është bllokuar me shirit nga policia pasi është e pamundur të futesh në zonën e ish-Kënetës për shkak të sasisë së ujit.

Ka pasur dhe evakuime të banorëve, të cilët janë ndihmuar nga Zjarrfikësja, pasi lëvizja e mjeteve të tjera duket gati e pamundur si pasojë e nivelit të lartë të ujit.

Sakaq, autoritetet lokale kanë bërë thirrje të vazhdueshme për qytetarët që të shmangin lëvizjet e panevojshme.

/tvklan.al