Java e parë e Serie A u mbyll me fitoren e thellë të Atalantas 4-0 me Frosinone. Skuadra e Bergamos ka luajtur pa Etrit Berishën në portë, por Berat Gjimshiti ishte në lojë për 90 minuta. Pas ndeshjes, mbrojtësi i kombëtares tha se skuadra meritonte notën 10.

“E sigurtë një 10. Të fillosh kampionatin kështu me 4 gola, shumë raste dhe duke mos pësuar ishte shumë e rëndësishme. Asgjë nuk është e lehtë sepse kjo është Serie A. Frozinone goditi edhe shtyllën, por morëm ndeshjen në dorë dhe siguruam fitoren”.

Gjimshiti u aktivizua nga minuta e parë për shkak të dëmtimit të një mbrojtësi tjetër, por meritoi një notë të lartë 6 teksa u vlerësua për formën fizike dhe vëmendjen.

Kombëtares do t’i mungojë në ndeshjet e para të Nations League Odise Roshi. I dëmtuar në ndeshjen e skuadrës së tij Akhmat Grony me Rubin Kazan, mesfushori pas një rezonance magnetike dyshohet se ka këputur ligamentin kruciat të përparmë. Futbollisti do t’i nënshtrohet edhe një tjetër ekzaminimi në Itali më 24 Gusht për të verifikuar peshën e dëmtimit. Deri më tani, dyshohet se do të jetë jashtë fushave për 6 muaj.

Tv Klan