“Ne jemi gati për negociata”

Pas publikimit të video-mesazhit të Albin Kurtit, i cili thoshte se LDK-ja refuzoi ofertën  e Lëvizjes Vetëvendosje nuk vonoi edhe reagimi i Isa Mustafës. Kreu i LDK-së thotë se pavarësisht arsyeve të shumta që lidhen me raportet me VV-në në të shkuarën, janë ulur në tryezë dhe kanë negociuar.

Ai thotë se negociatat nuk kanë qenë të lehta, njësoj si partneri në tavolinë. Sipas Mustafës, LVV në disa raste ka shpërfillur rregullat për të cilat ishin rënë dakord. Prandaj nisja e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës pa një qeveri sipas Mustafës nuk vjen si pasojë e dështimit të negociatave, por për shkak të dështimit të strategjisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord. Të tillë e kam parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të Vetëvendosjes, z.Albin Kurti. Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar. Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”, shkruan Mustafa.

Sipas tij, kërkesat e LDK-së nuk duhet të trajtohen si kërkesë ndaj VV-së pasi partia e Kurtit ka fituar vetëm 1/4 e votave.

“Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shume, dhe pothuajse aq ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit. Mandatin në 6 tetor, për një deputet më shumë se LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje, e ka marrë për ta larguar PAN-in e jo për ta sfiduar LDK-në. LDK-ja dhe unë do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë ndryshimin e kërkuar nga qytetarët e Kosovës më 6 tetor. Natyrisht, jo duke shpërfillur përpjekjet për ta lënë LDK-në fajtore për ambiciet përtej legjitimitetit qytetar të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Mustafa shton se video-mesazhin e sotëm, VV do duhet t’ia kishte dërguar fillimisht LDK-së meqë i konsideron akoma partnerë. Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryetari i Kuvendit, Presidenti dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së.

“Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore.
Vetëvendosja ka filluar ta kuptoj këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet. E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë te parit, ashtu si dhe përgjegjësi për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja”,
shkruan Mustafa, i cili në fund thotë se LDK është gati për negociata./tvklan.al