Vendet pjesëmarrëse në konferencën e OKB-së për klimën COP31, mes tyre Bashkimi Europian, shtetet ishullore të Paqësorit, Arabia Saudite dhe Rusia, nuk kanë arritur të bien dakord për një marrëveshje të re për luftën kundër ndryshimeve klimatike, pas përplasjeve për përdorimin e lëndëve djegëse fosile dhe financimin e vendeve më të varfra. Negociatat u zhvilluan në Turqi dhe zgjatën deri të dielën (22 nëntor), megjithëse ishte parashikuar të përfundonin të premten. Konferenca u shndërrua kështu në takimin më të gjatë të OKB-së për klimën në histori.
Marrëveshja përfundimtare u kundërshtua nga Bashkimi Europian dhe disa shtete të tjera, pasi nuk përmendte drejtpërdrejt lëndët djegëse fosile, të cilat konsiderohen shkaktari kryesor i ngrohjes globale. Ndërkohë, vendet më të varfra kritikuan mungesën e angazhimeve konkrete financiare nga shtetet e pasura për t’i ndihmuar të përballojnë pasojat e rritjes së temperaturave.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili mori pjesë në konferencën e tij të fundit COP përpara përfundimit të mandatit, u shpreh se ishte “thellësisht i zhgënjyer” nga rezultati. Ai kritikoi ndikimin e industrisë së lëndëve djegëse fosile në negociata, duke e akuzuar atë se po pengon përpjekjet për të luftuar krizën klimatike.
“Interesat e fuqishme të industrisë së lëndëve djegëse fosile po ndjekin të njëjtën strategji si industria e duhanit: shtrembërojnë shkencën, vonojnë politikat, bllokojnë veprimet dhe grumbullojnë fitime të mëdha, ndërsa njerëzit kudo paguajnë çmimin“, deklaroi Guterres.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, vendi i të cilit ishte bashkëorganizator i bisedimeve, ia atribuoi dështimin situatës së vështirë gjeopolitike. “Kjo është realiteti”, u shpreh ai të hënën.
Pas dy javësh negociatash, në orët e para të së dielës, delegatëve iu paraqit një projektmarrëveshje e re, por në tekst nuk përmendej në asnjë rast shprehja “lëndë djegëse fosile”. Referimi i vetëm ishte një marrëveshje e arritur në konferencën COP28 në vitin 2023, kur vendet u zotuan për largimin gradual nga përdorimi i këtyre burimeve në sistemet energjetike.
Bashkimi Europian reagoi ashpër ndaj këtij formulimi. Ministri irlandez Darragh O’Brien, përfaqësues i BE-së në negociata, tha se marrëveshja nuk përmbushte nivelin e ambicies që kërkohet për të luftuar ndryshimet klimatike.
“Është e papranueshme që të kemi një pakt për klimën që nuk përmend fare lëndët djegëse fosile“, deklaroi ai.
Kritika erdhën edhe nga Panamaja dhe Ishujt Marshall, të cilat vlerësuan se marrëveshja nuk parashikonte masa të mjaftueshme. Ndërkohë, Arabia Saudite kundërshtoi përgjegjësinë e vendeve prodhuese të naftës, duke argumentuar se shtetet arabe përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të emetimeve historike të gazrave serrë.
Edhe Rusia paralajmëroi se largimi shumë i shpejtë nga qymyri, nafta dhe gazi mund të sillte varfëri energjetike. Përfaqësuesit rusë u shprehën kundër asaj që e cilësuan si përdorim të “sloganeve” në diskutimet për të ardhmen e energjisë.
Dështimi i negociatave u kritikua edhe nga ish-nënpresidenti amerikan Al Gore, një prej zërave të njohur në mbështetje të politikave klimatike. Ai e cilësoi të papranueshme që një grup i vogël shtetesh prodhuese të naftës të mund të bllokojë çdo përmendje të lëndëve djegëse fosile në marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas tij, procesi i konferencave COP ka nevojë për reforma të rëndësishme.
Një tjetër pikë e fortë mosmarrëveshjeje ishte financimi për vendet më të varfra, të cilat përballen me pasoja gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike, si valët e të nxehtit dhe thatësirat. Në konferencën e vitit të kaluar, COP30 në Brazil, vendet kishin rënë dakord të trefishonin fondet për t’i ndihmuar shtetet në zhvillim të përshtaten me këto pasoja.
Megjithatë, marrëveshja e këtij viti nuk përmbante shifra konkrete dhe as një bazë të qartë për llogaritjen e financimit. Kjo ngriti shqetësime se vendet e pasura do të kishin mundësi të shmangnin detyrimet e tyre.
“Vendet e pasura dhe qeveritë ndotëse nuk mund të vazhdojnë të vijnë në këto takime duarbosh“, deklaroi Mohamed Adow nga organizata afrikane Power Shift Africa.
Edhe ministrja britanike e Energjisë, Miatta Fahnbulleh, e cilësoi dështimin për të arritur një marrëveshje politike si “jashtëzakonisht zhgënjyes”, por theksoi se Britania do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për përballimin e krizës klimatike.
Gjatë konferencës, e zhvilluar në Antalia të Turqisë, Australia drejtoi zyrtarisht negociatat. Chris Bowen, ministri australian që drejtoi procesin, tha se diskutimet u përballën me kundërshti të pakapërcyeshme, në një kohë kur tensionet gjeopolitike janë të larta dhe pasojat e ndryshimeve klimatike po bëhen gjithnjë e më të rënda.
Viti 2026 mund të përfundojë si më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, ndërsa fenomene ekstreme të motit janë shënuar në shumë vende, nga temperaturat e larta dhe thatësirat në Europë deri te përmbytjet në Nepal.
COP31 ishte gjithashtu konferenca e parë ku u diskutua zyrtarisht mundësia që objektivi kryesor i marrëveshjes së Parisit për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius të mos arrihet. Në marrëveshjen e vitit 2015, afro 200 vende u zotuan të kufizonin rritjen e temperaturës mesatare globale në këtë nivel, krahasuar me periudhën paraindustriale.
Sipas OKB-së, politikat aktuale të qeverive pritet ta kufizojnë ngrohjen globale në rreth 2.8 gradë Celsius deri në vitin 2100. Megjithatë, kjo nuk mjafton për të përmbushur objektivin e Parisit dhe bota pritet ta tejkalojë kufirin prej 1.5 gradësh në vitet e ardhshme. Për ta rikthyer temperaturën brenda këtij objektivi do të nevojiten teknologji të reja për largimin e dioksidit të karbonit nga atmosfera, të cilat ende nuk janë të disponueshme në shkallë të gjerë.
Pavarësisht dështimit të marrëveshjes kryesore, disa përparime u shënuan. Vendet ranë dakord të vijojnë punën për krijimin e një mekanizmi të tranzicionit të drejtë, që synon të mbështesë punonjësit dhe komunitetet gjatë kalimit drejt energjisë së pastër. Gjithashtu, më shumë se 80 vende mbështetën objektivin e Turqisë për të rritur në 35% pjesën e energjisë elektrike në konsumin global të energjisë deri në vitin 2035.
Pas dështimit të negociatave, janë shtuar pikëpyetjet mbi funksionimin e procesit të OKB-së për klimën, i cili kërkon konsensusin e të gjitha vendeve. Përgjegjësi i OKB-së për klimën, Simon Stiell, tha se do të kërkojë propozime për reformimin e këtij procesi. Konferenca e ardhshme, COP32, është planifikuar të mbahet në nëntor 2027 në Etiopi.
Stiell mbrojti rëndësinë e sistemit të konsensusit, duke kujtuar se ai kishte mundësuar edhe arritjen e marrëveshjes së Parisit, por pranoi se këtë herë procesi nuk dha rezultatin e pritur. Ai u bëri thirrje vendeve që të mos heqin dorë nga përpjekjet ndërkombëtare për klimën, duke theksuar se procesi ka kaluar edhe më parë pengesa dhe duhet të rikthehet më i fortë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
