Pas gati dy dekadash së bashku, aktorja Nicole Kidman dhe muzikanti Keith Urban janë ndarë. Çifti i famshëm, të cilët janë ndër më të njohurit në botën e artit dhe muzikës, kanë qenë të martuar që nga qershori i vitit 2006 dhe kanë dy fëmijë sëbashku: Sunday Rose, 17 vjeç, dhe Faith Margaret, 14 vjeç.

Lajmi për ndarjen e tyre u raportua fillimisht nga TMZ, e më pas dhe nga media të tjera si BBC, që shkruajnë se Kidman dhe Urban kanë jetuar të ndarë që nga vera e këtij viti.

Arsyet e ndarjes së çiftit nuk janë bërë të ditura. Megjithatë, lidhja e tyre ka kaluar nëpër shumë ulje dhe ngritje gjatë viteve. Të dy të rritur në Australi, Kidman dhe Urban kanë qenë një nga çiftet më të admiruar të Hollivudit, shpesh të pranishëm në premierat e filmave dhe eventet muzikore për të mbështetur njëri-tjetrin.

Karriera e tyre ka qenë plot suksese, Kidman ka fituar një çmim Oscar, ndërsa Urban është fitues i katër çmimeve Grammy. Ata janë parë gjithmonë si mbështetje e fortë për njëri-tjetrin si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale.

Në muajt e parë të martesës, Urban u përball me varësinë ndaj drogës dhe alkoolit, çka e çoi në rehabilitim. Kidman, së bashku me miq të afërt, organizoi një ndërhyrje që Urban e ka përshkruar si moment kyç në jetën e tij. Në një intervistë në vitin 2010 në emisionin e Oprah Winfrey, ai tha: “Çdo gjë ishte e dizenjuar, besoj, për atë moment që të na bashkonte. Kur shikoj pas, e kuptoj që Nicole më ka mësuar shumë dhe më ka hapur sytë në shumë mënyra. Ky është vendi më i mirë ku kam qenë ndonjëherë.”

Pavarësisht thashethemeve, çifti ishte parë bashkë edhe në qershor të këtij viti në një ndeshje të FIFA Club World Cup në Nashville, Tennessee. Ata u shfaqën gjithashtu në maj në ndarjen e çmimeve të Akademisë së Muzikës Country, ku Urban u nderua me çmimin ACM Triple Crown. Në fotografitë nga eventi, ata dukeshin të afërt dhe të dashuruar, duke u përqafuar dhe mbajtur duart sëbashku.

Nicole Kidman ka qenë më parë e martuar me aktorin Tom Cruise për më shumë se 10 vite. Ata kanë dy fëmijë të birësuar së bashku dhe u ndanë në vitin 2001.

/tvklan.al