Ndalimi i zotërimit të dronëve në Pekin hyri në fuqi të dielën; një masë kjo që, sipas autoriteteve, do të ndihmojë në garantimin e sigurisë së kryeqytetit të Kinës, shkruajnë mediat e huaja.

Ndalimi vlen si për zonat urbane, ashtu edhe për ato rurale në territorin e bashkisë, i cili shtrihet në rreth 16.400 kilometra katrorë një sipërfaqe sa afërsisht gjysma e Belgjikës.

Ndalimi, të cilin Pekini e shpalli në shtator, e bën të paligjshëm zotërimin dhe ruajtjen e mjeteve ajrore pa pilot (UAV), me qëllim “ruajtjen e sigurisë së kryeqytetit”.

Gjithashtu, u ndalua transportimi i dronëve ose i pjesëve përbërëse të tyre brenda qytetit.

Pronarët u detyruan t’i largonin pajisjet e tyre para hyrjes në fuqi të masës të dielën, duke i shitur ato në pika të autorizuara blerjeje ose përmes internetit.

Ata gjithashtu mund t’i kishin transportuar ato jashtë zonës ku zbatohet ky ndalim.

Pekini, ku ndodhet qeveria qendrore e Kinës, udhëheqësit kryesorë dhe selia e Partisë Komuniste Kineze (PKK) në pushtet, i është nënshtruar masave të rrepta të sigurisë.

Ky ndalim vjen pas shqetësimeve për sigurinë e hapësirës ajrore, të ngritura në qershor, kur një avion i vogël u përplas në rrokaqiellin më të lartë të qytetit, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe plagosjen e 13 personave të tjerë.

Pekini e kishte ndaluar tashmë shitjen e dronëve në maj të vitit 2026; në atë kohë, pronarëve u kërkohej t’i regjistronin pajisjet e tyre pranë autoriteteve, por u lejohej t’i mbanin ato.

Tani, kushdo që zotëron një dron mund të përballet me gjobë dhe konfiskim të pajisjes.

Përjashtime për fluturimet me dron mund të lejohen për arsye specifike, siç janë kundër-terrorizmi, zbatimi i ligjit, ndihma në raste emergjence, bujqësia ose kërkimet shkencore.

Dronët janë bërë jashtëzakonisht popullorë në Kinë vitet e fundit, veçanërisht për xhirimin e peizazheve.

/tvklan.al