Lezha ishte qyteti i parë ku anëtarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale zhvilluan konsultim publik.

Bashkëkryetari socialist, Arbjan Mazniku, e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për hapjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aktorët vendorë, duke shtuar se me reformën synohet funksionaliteti dhe se numri i bashkive është dytësor.

“Prandaj themi se diskutojmë kompetencat dhe financat, sepse kur themi këtë, jemi duke diskutuar për diçka konkrete. Dhe pastaj e gjejmë nëse na duhet e mesme, e vogël apo e madhe, duke u kthyer te qytetarët dhe jo te halli elektoral.”

Ndërsa opozita kërkon shtim të numrit të njësive të qeverisjes vendore. Bashkëkryetari demokrat, Luçiano Boçi, tha se reforma nuk duhet të politizohet dhe duhet një produkt konsensual, i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve.

“Nëse PS insiston në zvogëlimin e bashkive, PD që kërkon rritjen e numrit të bashkive, cili do të jetë konkluzioni? Nga drastik në drastik, e njëjta rrugë çon në dështim.”

Dëgjesat me publikun për reformën territoriale do të vijojnë edhe në qytetet e tjera.

Pas 11 vitesh nga reforma që solli uljen drastike të bashkive dhe heqjen e komunave, PS dhe PD janë për rishikimin e njësive vendore, por ndahen për numrin e tyre.

Tv Klan

/tvklan.al