Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës sot më 3 nëntor avokati i njohur Saimir Vishaj.

Mësohet se ditën e diel, Vishaj ishte transportuar me urgjencë tek Trauma, pas dyshimeve se kishte rënë nga shkallët.

Gjendja e tij ishte paraqitur kritike dhe mjekët e kishin vendosur në intubim, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.

Kush ishte avokati Vishaj

Saimir Vishaj ishte një emër i njohur i avokatisë shqiptare, me një karrierë që nisi në vitin 1996. Që nga viti 2009, drejtonte Shoqërinë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.

Gjatë karrierës së tij ka mbajtur një sërë funksionesh si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi si dhe Komitetit të Disiplinës.

Në gusht 2025, Vishaj kishte rrëfyer publikisht faktin se kishte kaluar një betejë të vështirë me jetën. Ai tregoi se kishte qëndruar në koma dhe në intubim. Madje, kishte bërë dhe një ndërhyrje në Itali.

Avokati Vishaj rrëfeu betejën me sëmundjen e rëndë dhe braktisjen nga gruaja

Vishaj ka qenë pak kohë më parë në vëmendjen e medias, lidhur me sëmundjen e tij të rëndë, e cila e “gjunjëzoi” avokatin. Ai rrëfeu në emisionin “Rudina” në Tv Klan se mjekët në Shqipëri nuk i dhanë shpresa, duke “larë duart” se kishin bërë gjithçka çfarë kishin në dorë dhe se jeta e tij varej nga Zoti.

“Kam qenë duke dalë nga një seancë gjyqësore më 29 prill 2025, ku papritur kam rënë në tokë, nuk e di arsyen. Unë jam shumë i rregullt në bërjen e check up-it dhe analizave. E vetmja gjë që nuk më kishin bërë ishte kolonoskopia dhe kam shkuar gjysmë i vdekur në Itali. Ata më pas më zbuluan që kisha një kancer në zorrë të trashë, i cili më kishte hedhur disa vatra në mushkëri.

I jam nënshtruar gati 12 orë një operacioni me robot në Itali, ku kam pastruar kancerin dhe aktualisht jam mes Amerikës dhe Shqipërisë, ku po i japim dorën e fundit dy-tre vatrave të vogla të kancerit që më ndodhen në trup. Mosbërja e saj më çoi tre herë në gjendje kome. Tre herë kam qenë i intubuar, ku luaja me jetën me minuta, me sekonda”, kishte rrëfyer Vishaj.

Nga ana tjetër, një nga sfidat e mëdha me të cilat i është dashur të përballet gjatë luftës me sëmundjen, ishte divorci pas një martese 35-vjeçare.

“Vijmë nga SHBA-të, pasi kishim bërë një pjesë të kimioterapisë, të cilën do e vazhdonim në Shqipëri. Bashkëshortja nuk e përtypi dot që ne do të jetonim në Shqipëri dhe një ditë të bukur, pas 2-3 ditësh, më tha ‘do të iki të rregulloj një dhemballë’ dhe nuk u kthye më në shtëpi. Më pas mora vesh që kishte ikur tek dy çunat në Amerikë dhe sot ndodhet atje. Unë bëra divorcin legal, duke i dhënë fund marteses. Me dashje, pa dashje, ndodhi!”

Avokati u shpreh se vetmia është një nga plagët më të mëdha me të cilat i është dashur të përballet, për të cilën shprehej se po e vuan shumë.

“Mjerë ai që e vuan vetminë. Më mirë të vdesësh se të jesh i vetmuar. Vetmia, sidomos për burrat, është shumë e rëndë. Të fillosh të lash enët, të lash rrobat, të pastrosh, të bësh punët, të bësh punët më të rëndomta, të vesh i veshur në punë dhe natën pastaj të flesh vetëm është shumë e rëndë. Ndonjëherë them më mirë të kisha vdekur se ta ndjeja veten të vetmuar. Por ja që po ia dal, po ia dal tani, jam mësuar. Ky është fati”.