2 tetor, 2026- Futbollisti i Kombëtares, Elseid Hysaj doli sot në një konferencë për shtyp së bashku me trajnerin Rolando Maran përpara ndeshjes ndaj Finlandës. Mbrojtësi kuqezi u shpreh se Shqipëria ka një skuadër shumë të fortë dhe se objektivi është që ta mbyllin grupin e Ligës së Kombeve në vendin e parë.

“Kemi një skuadër shumë të fortë. Kur u dha grupi në fillim, ishte një grup i fortë. Si Finlanda dhe Bjellorusia janë dy skuadra që kanë gati një nivel si ne. Ishte një objektiv i joni që në fillim që duhet ta kalojmë këtë grup. Duhet të jemi të parët sepse ne jemi një skuadër në evolucion. Jemi një skuadër që duhet të kërkojmë më shumë nga secili nga ne. Kemi edhe trajnerin e ri që po na jep një dorë shumë të mirë për të bërë një lojë më të bukur dhe më sulmuese”, tha Hysaj.

Mbrojtësi i Kombëtares u ndal edhe tek prurjet e reja në kombëtare si Sina apo Qefalia të cilët i vlerësoi, ndërsa shprehu edhe shqetësimin se nuk po dalin shumë lojtarë të rinj në fazën mbrojtëse për tu afruar në Kombëtare.

“Janë duke dalë shumë lojtarë të mirë shqiptarë por e vetmja gjë është që nuk po dalin shumë mbrojtësa. Por besoj se mesfusha dhe sulmi ka shumë zgjidhje, ka shumë lojtarë. Si Qefalia, si Sina që erdhën janë lojtarë të mirë. Besoj se Shqipëria do jetë e mbrojtur edhe për të ardhmen”, theksoi Hysaj.

Prej pak kohësh pa skuadër dhe si lojtar i lirë, Hysaj shprehet se paraqitjet me Kombëtaren e kanë ndihmuar, teksa tregoi se ka pasur edhe bisedime me disa ekipe për një transferim të mundshëm por ende asgjë zyrtare.

“Mua kjo kombëtarja më ndihmoi sepse ishte momenti që duhej të tregoja se isha në formë. U bënë shumë muaj që nuk luaja dhe besoj se do hapet ndonjë gjë e re. Sepse jam duke biseduar me disa skuadra por nuk ka akoma asgjë zyrtare kështu që mendoj të jem i përqëndruar për këtë ndeshje dhe pastaj do vendos”, tha mbrojtësi kuqezi.

Sa i përket një kalimi në kampionatin shqiptar, Hysaj nuk beson se është ende momenti që të kthehet të luajë në Shqipëri.

“Me gjithë rrespektin që kam për kampionatin shqiptar edhe pse këto kohë i kam ndjekur me të vërtet pasi hera e parë që unë isha në Shqipëri dhe po stërvitesha me Vllazninë. Kështu që ishte si detyrë për ti ndjekur ato duke luajtur. Është një kampionat i mirë por besoj se nuk është akoma momenti im të kthehem në Shqipëri’, përfundoi Hysaj.

/tvklan.al