Stadiumi i Helsinkit do të jetë të shtunën skena e përballjes mes Finlandës dhe Shqipërisë, në ndeshjen e tretë të Ligës së Kombeve.

Finlandezët e kanë nisur mirë këtë edicion dhe pas dy ndeshjeve kanë grumbulluar katër pikë, duke mbajtur vendin e dytë në grup.

Debutimi ishte spektakolar, me fitoren 7-0 ndaj San Marinos, ndërsa në takimin e dytë Finlanda u ndal në një barazim pa gola ndaj Bjellorusisë. Bëhet fjalë për një skuadër që vitet e fundit ka ndërtuar identitetin e saj mbi organizimin, disiplinën taktike dhe një lojë të strukturuar.

Me një vlerë tregu prej 51.45 milionë eurosh, Finlanda renditet në vendin e 75-të në klasifikimin botëror të FIFA-s.

Në drejtimin e përfaqësueses është danezi Jacob Friis, i cili ka marrë drejtimin e Finlandës në vitin 2025. Në fushë, rreziku kryesor për kuqezinjtë pritet të vijë nga Joel Pohjanpalo.

Sulmuesi i Palermos ka shënuar tre gola në ndeshjen e fundit dhe mbetet pika kryesore e repartit ofensiv.

Në formë të mirë është edhe Leo Ëalta i Sëansea City, autor i dy golave.

Ndërkohë, Finlanda mbështetet edhe te Kaan Kairinen i AEK-ut të Athinës dhe Adam Markiev i Nürnbergut, dy prej lojtarëve me vlerën më të lartë të tregut në përfaqësuese, rreth 6 milionë euro secili.

Për Finlandën, një nga momentet më të rëndësishme të viteve të fundit ishte kualifikimi për Europianin e vitit 2020.

Atëherë, finlandezët e mbyllën grupin eliminator në vendin e dytë, pas Italisë, me gjashtë fitore në dhjetë ndeshje, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në një kampionat europian.

Edhe në këtë edicion të Nations League, Finlanda ka treguar një fytyrë solide. Pas dy ndeshjeve të para, skuadra e Jacob Friis mbetet e pamposhtur, me shtatë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.

Megjithatë, pas goleades ndaj San Marinos, ajo nuk arriti të shënonte ndaj Bjellorusisë. Në favor të Finlandës flasin edhe statistikat e përballjeve direkte.

Në shtatë takime mes dy përfaqësueseve, finlandezët kanë regjistruar katër fitore, Shqipëria dy, ndërsa një ndeshje është mbyllur në barazim.

Të shtunën në Helsinki, kuqezinjtë do të kërkojnë të ruajnë kreun e grupit. Përballë do të kenë një Finlandë që, pas katër pikëve të para, kërkon të bëjë hapin e radhës dhe të afrohet me vendin e parë.

Klan News

/tvklan.al