Ndodh sërish në Akademisë së Sigurisë, në Sauk! Siç bën me dije gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, mbrëmjen e djeshme, 24 qershor, janë helmuar 31 kursantë.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë edhe 29 kursantë të tjerë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së.

Ata kanë pasur të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, ku të ndarë në grupe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital.

Ky është rasti i dytë brenda pak muajsh, ndërsa policia dhe AMP-ja kanë nisur hetimet. Po hetohet nëse komplikacionet janë shkaktuar po nga ushqimi apo faktorë të tjerë.

Kujtojmë se më herët, ashtu siç e konfirmoi edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), studentët u helmuan nga konsumimi i makaronave, të cilat rezultuan me Escherichia coli dhe Stafilokok, dy lloje të bakteresh që shkaktojnë infeksione në trupin e njeriut.

Kështu, u ndërpre përkohësisht aktiviteti i kuzhinës në ambientet e brendshme të kësaj Akademie, derisa u pastruan dhe dezinfektuan pajisjet e punës. Kompania private SORI-AL, e cila ofronte shërbimin e kateringut për tre vaktet ditore të studentëve u gjobit për ushqim të pasigurt dhe kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.

Ishin 56 studentë që përfunduan në repartin Infektiv të QSUT-së prej ushqimit të kontaminuar, më 7 maj të këtij viti.

Duhet theksuar se Prokuroria e Tiranës i ka dërguar shkresë dy herë AKU-së, për një shpjegim sa i takon fillimisht bllokimit e më pas zhbllokimit të aktivitetit të kompanisë private me të cilën Akademia e Sigurisë ka një kontratë. Kërkoi po ashtu dokumentet që dëshmojnë për një kontroll të mëhershëm të ushqimit apo produkteve.

Ka një reagim nga shoqëria SORI-AL.

“Shoqëria “SORI-AL” përgatit dhe shpërndan çdo ditë mbi 1 mijë racione ushqimore, duke operuar prej më shumë se 23 vitesh në sektorin e kateringut për entet publike. Gjatë gjithë kësaj periudhe aktiviteti, kompania ka ndërtuar reputacionin e saj mbi respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe nuk është përballur më parë me episode të ngjashme të përsëritura në një interval kaq të shkurtër kohor. Ky fakt e bën edhe më të domosdoshme që çdo rrethanë të analizohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe pa paragjykime”, nënvizon kompania.


Raportohet se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbledhur drejtuesit e Akademisë së Sigurisë për të analizuar situatën. Mësohet se Hita ka shkuar në Akademi edhe në mesnatë menjëherë pasi studentët kanë shkuar në Repartin Infektiv të QSUT-së për ndihmë mjekësore, ndërsa ka urdhëruar hetim të plotë të zbardhjes së rrethanave të kësaj ngjarjeje si dhe vënien para përgjegjesive ligjore të personave përgjegjës.