Ben Affleck ka folur për jetën e tij personale, duke u dhënë fund njëkohësisht spekulimeve të shumta rreth jetës së tij sentimentale.
Aktori dhe regjisori 54-vjeçar sqaroi se dashuria nuk përbën aktualisht një “prioritet të madh” në jetën e tij. Duke folur për Entertainment Tonight gjatë premierës së filmit të tij të ri, “Animals”, në Los Angeles, Affleck tha se pjesën më të madhe të kohës po ia kushton punës dhe fëmijëve të tij.
“Punoj shumë dhe shoh fëmijët e mi. Nuk mbetet shumë hapësirë përtej tyre dhe punës”, u shpreh ai.
“Nuk jam duke vrapuar sa andej-këtej”, shtoi aktori.
Affleck komentoi gjithashtu një deklaratë të bërë së fundmi nga moderatorja e “The View”, Ana Navarro, e cila kishte pretenduar se ishte përpjekur ta lidhte atë me këngëtaren Shakira pas ndarjes së tij nga Jennifer Lopez, megjithëse vetë Navarro kishte pranuar se “nuk e kishte takuar kurrë”.
“Gjithë këto gjëra, sinqerisht, i dëgjoj për herë të parë nga njerëz si ju. Betohem në Zot, nuk e kam dëgjuar kurrë në jetën time”, deklaroi Affleck.
Ylli i Hollywood-it pranoi se shpesh dëgjon thashetheme të ndryshme për jetën e tij private.
“Shpesh dëgjoj thashetheme dhe mendoj se kjo ndodh sepse… sa burra beqarë ka? Disa njerëz bëjnë thashetheme. Disa gjëra thjesht sajohen. Në fakt, pothuajse kurrë nuk më organizojnë takime”, tha ai.
“Prioriteti im janë fëmijët”
Affleck dhe Jennifer Lopez finalizuan divorcin në janar të vitit 2025, pas dy vitesh martesë dhe një fejese të mëparshme.
Aktori ka qenë gjithashtu i martuar me Jennifer Garner nga viti 2005 deri në finalizimin e divorcit të tyre në vitin 2018. Garner dhe Affleck kanë tre fëmijë së bashku: Violet, Seraphina dhe Samuel.
Duke e përshkruar periudhën aktuale të jetës së tij si “një fazë të mirë”, Affleck shpjegoi se ku është përqendruar vëmendja e tij.
“Jam mirë dhe jam i lumtur. E di cilat janë prioritetet e mia. Nuk mund të kesh dy gjëra që janë më të rëndësishmet në jetën tënde. Për mua, ato janë fëmijët”, theksoi ai.
“Pastaj kam punën time, të cilën e dua. Jam aty ku jam dhe jam shumë mirë. Kush e di se çfarë aventurash mund të sjellë jeta? Jam i hapur ndaj tyre, por nuk po përpiqem të ndjek diçka”, shtoi aktori.
Fëmijët e ngacmojnë për jetën sentimentale
Në një intervistë në emisionin “Jimmy Kimmel Live!” në shtator, Affleck kishte treguar se fëmijët e tij e ngacmojnë për jetën e tij sentimentale.
“Fëmijët e mi flasin gjatë darkës për miqtë e tyre, dramat dhe marrëdhëniet e tyre dhe mendoj se kam disa përvoja jetësore që ia vlen t’i ndaj, disa mësime”, kishte treguar ai.
Affleck rrëfeu se ndonjëherë përpiqet t’u japë këshilla për marrëdhëniet, por jo gjithmonë priten me seriozitet nga fëmijët e tij.
“U them, për shembull, ‘e dini, problemi me këtë marrëdhënie është…’, dhe atëherë 17-vjeçari kthehet dhe më thotë: ‘Ah, mirë, sikur ti të ishe eksperti i marrëdhënieve?’”, tregoi Affleck me humor.
/tvklan.al












Botërori 2026 
