Një javë pas dorëheqjes së ministres së Shëndetësisë, kryeministri ka vendosur të bëj një tjetër lëvizje në qeveri jo thjesht të emrave por të strukturës se kabinetit qeverisës.

Ministria e Brendshme do të rikthehet të kenë te integruar dhe pushtetin vendor dhe ministri që Rama i ka besuar drejtimin e dikasterit të ristrukturuar është Ervin Demo.

Ndërkohë që Besfort Lamallari nga 11 shtatori i vitit të shkuar ka drejtuar dy ministri atë të Drejtësisë deri në fund të shkurtit dhe 6 muajt e fundit ministrinë e Brendshme, do të zbresë në detyrën e këshilltarit të kryeministrit.

Kryeministri i bëri të ditur ndryshimet përmes një video të xhiruar në zyrën e tij në krah të ministrit në largim dhe ministrit të ri i cili për koiçidencë apo për zgjedhjen e kryeministrit fiks një vit më parë, në 11 shtatorin e 2025 u dorëhoq si kryebashkiak për tu bërë pjesë e qeverisë si ministër Shteti për Pushtetin Vendor.

“Siç e diskutuam në mbledhjen e qeverisë, sot kam vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë dhe Besforti nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe me ekipin këtu në Kryeministri, ndërkohë që Ervini, ministri deritanishëm i Pushtetit Vendor do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore, diçka që nuk është e re për historikun e ministrisë, por që pasi ka marrë një formë goxha më të plotë duke qenë veç, do të bëhet tani pjesë e strukturës së drejtimeve të punës së ministrisë. Kështu që faleminderit për shërbimin e deritanishëm. Faleminderit paraprakisht edhe për shërbimin e mëtejshëm. Faleminderit për shërbimin e deritanishëm. Faleminderit dhe për shërbimin e mëtejshëm”, tha Rama.

Të dy si Lamallari në ikje dhe Demo që tani do të drejtojë një ministri më të fuqizuar ishin falënderues dhe mirënjohës ndaj kryeministrit për përzgjedhjen e tij.

Po sot përpara presidentit u betua ministrja e re e Shëndetësisë Klodiana Spahiu ndërsa po brenda kësaj të premtje pritet që kryeministri ti çojë kreut të shtetit dhe propozimet për ndryshimet në qeveri.

/tvklan.al