Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka folur këtë të enjte në një prononcim për mediat, lidhur me propozimin mbi ndryshimin e rregullores së Kuvendit, të cilat opozita i konsideron si të pakonsultuara.

Duke folur para gazetarëve, Balla u shpreh që ndryshimet janë propozuar për t’iu përshtatur Bundestagut gjerman.

“Në respekt të një kërkese nga ana juaj për të sqaruar propozimet e depozituara ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë nga 3 deputetë të grupit parlamentar të PS-së, mes tyre edhe unë. Këto ndryshime janë menduar prej shumë kohësh, të ndara nga disa elementë, me qëllime të mira për përmirësimin e punës në Kuvendin e Shqipërisë, sa i përket mbarëvajtjes dhe kohës, për rritjen e efikasitetit të kontrollit parlamentar. Ju e dini që gjithmonë ka qenë dëshira ime dhe e kolegëve të PS që t’i përshtatemi procedurave me Bundestagun gjerman. Aty jemi bazuar.”, tha Balla.

Më tej, deputeti socialist u shpreh: “Kam dëgjuar që ka një diskutim pse Partia Socialiste i merr në mënyrë të njëanshme propozimet. Besoj se biem dakord që në kushtet e mungesës së një dialogu parlamentar, propozimet merren të njëanshme, por shpresoj që ndryshimet të merren të dyanshme. Kjo nuk sjell asnjë lloj problematike me mohimin e të drejtës së fjalës. 5 minuta janë të mjaftueshme për të thënë një qëndrim politik. Pastaj, për çështje me rëndësi të veçantë, ka një ndryshim, pasi mund të vendoset një kohë e caktuar kur koha që i lihet deputetëve, të caktohet 10 minuta apo më shumë.”

Mes të tjerash, kreu i grupit të PS-së iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me çështjen e deputetes Belinda Balluku, e cila sot u shkarkua nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë.

Balla sqaroi se kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të saj do të diskutohet në seancën e radhës: “Përgjigjen për këtë çështje e dhashë, në seancën e radhës, për shkak të afateve që përcakton rregullorja çështja do të jetë për shqyrtim.”