Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve në vend sot më 19 nëntor, duke përcaktuar kufijtë maksimalë me të cilët do të tregtohen nafta, benzina dhe gazi.
Sipas vendimit të Bordit, nafta do të shitet me pakicë me një çmim jo më të lartë se 201 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk duhet të kalojë 189 lekë për litër.
Për benzinën, kufiri maksimal i shitjes me pakicë është përcaktuar në 160 lekë për litër, ndërsa për tregtimin me shumicë në 148 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi i gazit për automjetet do të jetë 71 lekë për litër në pikat e shitjes me pakicë dhe 59 lekë për litër për shitjen me shumicë. Një çmim i veçantë është përcaktuar edhe për sektorin e peshkimit, ku nafta do të tregtohet me 105 lekë për litër.
Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi këtë të enjte, në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të rishikohet situata në treg dhe do të vendoset nëse do të ketë ndryshime të tjera.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve që tregtojnë karburante me shumicë dhe pakicë për detyrimin që të respektojnë çmimet e përcaktuara. Për subjektet që do të konstatohet se shkelin vendimin, parashikohet pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëjnë me dije se do të vijojnë monitorimin e tregut, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
/tvklan.al












Botërori 2026 
