U çel këtë të Hënë në Luksemburg grup-kapitulli i dytë i negociatave me Bashkimin Evropian “Tregu i Brendshëm” që shënon edhe tryezën e katërt ndërqeveritare mes grupit negociator shqiptar dhe atij të BE-së.
Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin polak Sikorski e pa si një hap të merituar, por edhe një vlerësim për një popull pro anëtarësimit me një shumicë dërrmuese, më të lartë se vetë popujt e shteteve anëtare. Ajo që kërkohet për t’u arritur objektivi për mbylljen e procesit teknik brenda 2027-ës, është të vijohet me reformat e nisura.
“Shqipëria është vërtetë një histori suksesi e procesit tonë të zgjerimit dhe sot kemi hedhur një tjetër hap drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Është lajm i mirë dhe për qytetarët e Shqipërisë, si qytetarë të ardhshëm të BE dhe është rezultat i vendosmërisë së autoriteteve në Shqipëri për të realizuar reformat përgjatë shumë viteve. Nëse Shqipëria realizon zbatimin e reformave të nevojshme, unë do të jem avokati juaj më i mirë në Bruksel dhe në të gjitha shtetet anëtare, kështu që mesazhi im për qytetarët shqiptarë është i qartë: e ardhmja e Shqipërisë është padyshim në BE”, u shpreh Marta Kos.
Po ashtu edhe Radosław Sikorski foli për rëndësinë që kanë reformat e kërkuara në kapitujt e hapur sot pasi japin garanci për lirinë ekonomike.
“Kapitujt që hapëm sot janë jetikë për integrimin ekonomik të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Reformat e nevojshme do të çojnë në përafrim ekonomik me BE-në. Përgëzojmë qeverinë Rama për përpjekjet tuaja në rrugën drejt BE-së. Përgëzoj Shqipërinë që është një partnere e besueshme në fushën e sigurisë, si aleate e NATO-s dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës. BE-ja është e ardhmja e sigurt dhe e begatë, të cilën e kemi përjetuar në Poloni që prej vitit 2004.”
Vetë kryeministri Edi Rama u shprehu mirënjohjen në mënyrë të veçantë Komisioneres Kos që sipas tij po shtyn përpara që ëndrra europiane e Shqipërisë të bëhet realitet brenda 2030-ës.
“Falenderimet shkojnë si përherë për Komisionin Europian dhe Marta Kos, e cila dikur thyente rekorde duke çarë ujin dhe u bë kampione e vendit të saj, tanimë është bërë kronometri i vendeve tona dhe sigurohet që çdo lëvizje të na çojë para me disiplinë.”
Por sa optimist është Rama që brenda Presidencës polake të hapen kapituj të tjerë?
Gjatë rrugës nga Brukseli drejt Luksemburgut, Rama e komentoi këtë hap të radhës në procesin e integrimit si përgjigje për opozitën që kishte lajmëruar më parë se negociatat do të bllokoheshin për shkak të keqqeverisjes së socialistëve.
“Do të duhet po kështu ta shohim çeljen e grup-kapitullit sot, të tregut të brendshëm si një perspektivë shumë të rëndësishëm në kuadrin e sotëm, sepse ndërkohë që proteksionimi dhe tarifat po kthehen në shumë pjesë të botës, puna jonë për këtë kapitull, grup-kapitull është të heqim këto barriera, është për të përmirësuar konkurueshmërinë, për të siguruar standardet e larta të prodhimit, të sigurojmë mundësi të shumta ekonomike për të dyja palët për kompanitë në Shqipëri e për kompanitë në BE.“
Tv Klan