Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha është vlerësuar me çmimin “Global Hitmaker Award” në ceremoninë “Billboard Canada Women in Music 2026”, në shenjë mirënjohjeje për suksesin dhe kontributin e saj në industrinë muzikore.

Në fjalimin e mbajtur gjatë ceremonisë, artistja u kthye pas në kohë, duke kujtuar ëndrrën e fëmijërisë për të qenë një ditë pjesë e listave të “Billboard”. Ajo tregoi se kur shkonte në dyqan me të ëmën, nxitonte drejt sektorit të revistave për të parë renditjen e këngëve më të suksesshme.

“Shikoja të gjitha këngët në listën ‘Hot 100’ dhe mendoja: ‘O Zot, ndoshta një ditë do të arrij të shkruaj një këngë hit që do të jetë pjesë e kësaj liste’”, rrëfeu Rexha.

Me humor, këngëtarja kujtoi edhe shtëpinë e prindërve në New York, ku nisi të shkruante këngët e saj të para, ndërsa mobiliet mbuloheshin me plastikë, sipas traditës familjare shqiptare.

“Ne jemi shqiptarë dhe nëna ime vendoste plastikë mbi mobiliet, sepse nuk donte që t’i ndotnim. Por unë aty shkruaja këngët e mia. Pikërisht aty përfundova duke shkruar një nga hitet e mia të para”, tregoi ajo.

Një nga momentet më pikante të fjalimit ishte kur Bebe foli për prejardhjen shqiptare dhe pritshmëritë tradicionale ndaj vajzave, veçanërisht për martesën në moshë të re.

“Dua të falënderoj kulturën time, sepse të qenit shqiptare është një pjesë shumë e madhe e asaj që jam. Nëse je shqiptar, e njeh mentalitetin tradicional: martesa në moshë të re, dikush vjen të kërkojë dorën tënde dhe duhet të bëhesh nënë në moshën 24 apo 25-vjeçare. Unë thashë: ‘Në asnjë mënyrë!’”, u shpreh këngëtarja, duke shkaktuar të qeshura te të pranishmit.

Ajo zbuloi se edhe nëna e saj kishte kundërshtuar idenë e martesës së hershme, duke theksuar se e bija ishte e destinuar për shumë më tepër. Në moshën 19-vjeçare, Rexha u zhvendos në Los Angeles për të ndjekur ëndrrën muzikore.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës botërore, si Eminem, Rihanna, Nicki Minaj, David Guetta dhe Selena Gomez.

Në fund, artistja iu drejtua simbolikisht vetes së saj të vogël, duke thënë se do t’i këshillonte të mos shqetësohej aq shumë për të ardhmen: “Qetësohu, nuk është çështje jete a vdekjeje. Gjithçka do të rregullohet”.

Ky çmim shënon një tjetër sukses për Bebe Rexhën, e cila gjatë gjithë rrugëtimit të saj ka treguar krenari për origjinën shqiptare.

/tvklan.al