Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka nominuar Presidentin amerikan Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes, gjatë takimit të tyre të parë pas sulmeve amerikane ndaj Iranit.

Trump priste që Netanyahu të pranonte armëpushimin me Hamasin pas luftës prej 21 muajsh në Gaza, ku kanë humbur jetën rreth 60 mijë persona, kryesisht palestinezë. Para darkës në Shtëpinë e Bardhë, shkruajnë mediat e huaja, Trump e pyeti Netanyahun nëse duhet të zhvendosen me forcë palestinezët nga Gaza, por ai tha se duhet të jetë zgjedhje e lirë: kush do të qëndrojë, qëndron dhe kush do të largohet, largohet.

Netanyahu i dorëzoi Trump-it një letër për nominimin e tij për Nobel, duke e falenderuar për përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.

Trump u shpreh optimist në raport me Iranin dhe premtoi rifillimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke kritikuar presidentin Vladimir Putin.

Në lidhje me Palestinën, Netanyahu tha se ata duhet të kenë vetëqeverisje, por pa fuqinë për të kërcënuar Izraelin, i cili do të ruajë kontrollin e sigurisë.

Ai shprehu besim se me udhëheqjen e Trump mund të arrihet një paqe e gjerë në rajon.

Përpos diskutimeve në tryezë, ende nuk ka një zhvillim pozitiv konkret në raport me armëpushimin.

Edhe në Katar u zhvilluan bisedime indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, ku të dyja palët shprehën gatishmërinë për armëpushim, por nuk u ra dakord mbi kushtet./tvklan.al