Donald Trump mbërriti në Kinë i shoqëruar nga një grup prej 17 drejtuesish të teknologjisë dhe financës amerikane, mes tyre Elon Musk, Jensen Huang, Tim Cook dhe Larry Fink. Shumë prej tyre kishin mbërritur në Pekin edhe para presidentit amerikan.
Elon Musk udhëtoi me Air Force One, një sinjal se marrëdhënia mes tij dhe Trump po rikthehet në normalitet pas tensioneve dhe përplasjeve të muajve të fundit.
Ndërkohë, surpriza më e madhe ishte rikthimi i Jensen Huang, drejtuesit të NVIDIA. Ai nuk ishte pjesë e delegacionit zyrtar të njoftuar nga Shtëpia e Bardhë, por iu bashkua Trump-it në minutën e fundit gjatë ndalesës në Alaskë për furnizim me karburant.
Kështu, Trump mbërriti në Pekin më shumë i rrethuar nga biznesmenë dhe negociatorë ekonomikë sesa nga diplomatë apo ekspertë gjeopolitikë. Presidenti amerikan i quajti ata “njerëz gjenialë”.
Trump kërkon mbështetje ekonomike në negociatat me Xi Jinping
Prania e figurave të fuqishme të kapitalizmit amerikan nuk është rastësi.
Trump hyn në negociatat me Xi Jinping në një moment delikat:
-tarifat doganore amerikane janë dobësuar pas vendimeve të gjykatave;
-ekonomia amerikane po përballet me inflacion dhe rënie të pagave;
-tensionet në Ngushticën e Hormuzit e kanë detyruar Uashingtonin të kërkojë bashkëpunimin e Pekinit.
Për këtë arsye, Trump po e orienton vizitën drejt biznesit dhe investimeve. Ai deklaroi se kërkesa e tij kryesore ndaj Xi Jinping është hapja më e madhe e tregut kinez për kompanitë amerikane, duke premtuar “efekte magjike” për ekonominë kineze.
Marrëveshjet që mund të zbusin luftën SHBA-Kinë
Në tryezën e samitit ndodhen disa marrëveshje konkrete që mund të ulin tensionet mes dy superfuqive.
Robert Kelly Ortberg ndodhet në Pekin me shpresën për të finalizuar shitjen e qindra avionëve Boeing 737 Max ndaj Kinës.
Po ashtu, prania e Brian Sikes tregon dëshirën e Trump për të shtyrë Kinën të blejë më shumë sojë, drithëra dhe produkte ushqimore amerikane, me qëllim uljen e deficitit tregtar mes dy vendeve.
Trump dëshiron gjithashtu që Kina të blejë naftë dhe gaz amerikan, sidomos tani që furnizimet nga Venezuela dhe Irani janë reduktuar. Megjithatë, Pekini nuk duket i gatshëm të bëhet i varur nga energjia amerikane.
Teknologjia, pika më e nxehtë e negociatave
Një nga çështjet kryesore mbetet teknologjia dhe mikroprocesorët.
Kompanitë amerikane ankohen për kufizime të mëdha në tregun kinez. Edhe Elon Musk, dikur i konsideruar si një “ambasador jozyrtar” i Pekinit falë fabrikave të Tesla në Kinë, po përballet me vështirësi.
Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te Jensen Huang dhe Nvidia.
Trump kishte lejuar eksportin drejt Kinës të çipave H200 të Nvidia-s, të avancuar por jo aq sa gjenerata e fundit Blackwell. Megjithatë, kompanitë kineze nuk i kanë blerë ende në masë, pasi Pekini kërkon teknologjinë më të avancuar dhe njëkohësisht druhet nga varësia ndaj SHBA-ve.
Analistët po pyesin nëse prania e Huang në delegacion është sinjal i një zbutjeje të luftës teknologjike mes Washingtonit dhe Pekinit.
Në delegacion ndodhen edhe figura të rëndësishme të financës amerikane, si Steven Schwarzman dhe David Solomon.
Kritikët në SHBA paralajmërojnë për ndikimin në rritje të kapitalit kinez, ndërsa investimet amerikane në Kinë bien ndesh me premtimin e Trump për rikthimin e prodhimit industrial në territorin amerikan.
/tvklan.al












Botërori 2026 
