Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka zhvilluar dhjetëra udhëtime me avion privat, në një periudhë pak më shumë se tre mujore. Sipas një investigimi të BBC Sport, këto vizita ngrenë pikëpyetje për përdorimin e detyrave zyrtare në funksion të fushatës së tij për rizgjedhje në krye të FIFA-s.

39 fluturime private, 32 shtete të vizituara dhe më shumë se 102 mijë milje ajrore në vetëm 115 ditë. Këto janë shifrat e udhëtimeve botërore të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, të zbuluara nga BBC Sport.

Që prej 28 korrikut, kur u bë publik plani i tij për të shitur një pjesë të aksioneve të Kupës së Botës te investitorët privatë, Infantino ka udhëtuar mesatarisht një herë në tre ditë, duke kaluar pothuajse nëntë ditë në ajër me avionë privatë.

Por, përtej shifrave, në qendër të vëmendjes është edhe gara për rizgjedhjen e tij në krye të FIFA-s, në marsin e ardhshëm.

Kritikët e akuzojnë se po përdor udhëtimet dhe takimet zyrtare në mbarë botën për të siguruar mbështetjen e federatave anëtare dhe për të forcuar fushatën e tij. Gjatë këtyre vizitave, Infantino është takuar me drejtues të federatave, politikanë dhe përfaqësues të futbollit në dhjetëra vende, duke premtuar edhe mbështetjen e FIFA-s për projekte të ndryshme.

Ish-kreu i Komitetit Qeverisës të FIFA-s, Miguel Maduro, pretendon se këto udhëtime janë pjesë e fushatës së tij.

Nga ana tjetër, FIFA i ka justifikuar udhëtimet si pjesë të detyrave zyrtare të presidentit, duke deklaruar se të gjitha shpenzimet janë në përputhje me rregulloret e institucionit.

Pra, debati nuk lidhet vetëm me kilometrat që ka përshkuar Infantino, por edhe me kufirin mes detyrave të presidentit të FIFA-s dhe fushatës së tij për të qëndruar në krye të institucionit. Kandidatët e tjerë për postin e kreut të institucionit të futbollit botëror janë Filipe Djalo dhe Kozo Tashima.

Klan News

/tvklan.al