Prokuroria e Posaçme (SPAK) i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesën për konfiskimin e pasurive me vlerë rreth 9.1 milionë euro, të cilat dyshohet se lidhen me një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikimin e narkotikëve dhe pastrimin e parave.
Kërkesa është depozituar më 17 nëntor 2026, në kuadër të procedimit pasuror nr. 10 të vitit 2025, pas hetimeve mbi burimin e të ardhurave dhe mënyrën e krijimit të pasurive të personave nën hetim.
Sipas njoftimit të SPAK, hetimi pasuror nisi pas verifikimeve të kryera në kuadër të një hetimi penal të regjistruar në vitin 2019, për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Gjatë hetimeve, përmes ekspertimeve kontabël dhe vlerësimeve të pasurive, u identifikuan prona dhe interesa në shoqëri tregtare, të regjistruara jo vetëm në emër të personave nën hetim, por edhe të familjarëve dhe personave të tjerë të lidhur me ta. Prokuroria thotë se këto pasuri nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme të ardhurash.
Në listën e pasurive për të cilat kërkohet konfiskimi përfshihen 24 pasuri të paluajtshme, kryesisht në Durrës, mes tyre apartamente, njësi tregtare, truall dhe ndërtesë, si dhe dy vende parkimi në Vlorë.
Krahas tyre, SPAK kërkon konfiskimin e tre automjeteve luksoze të markave BMW dhe Mercedes-Benz, si dhe të kuotave në katër shoqëri tregtare dhe një person fizik. Vlera e përgjithshme e këtyre pasurive, sipas përllogaritjeve me çmimet aktuale të tregut, arrin në rreth 9.1 milionë euro.
SPAK bën me dije gjithashtu se hetimet nuk janë mbyllur plotësisht. Për këtë arsye, procedimi pasuror nr. 10/2025 është ndarë dhe një pjesë e tij është regjistruar si procedimi nr. 10/1 i vitit 2026, me qëllim vijimin e hetimeve për persona dhe pasuri të tjera.
Kërkesa e depozituar tashmë do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, e cila do të vendosë nëse do të pranojë konfiskimin e pasurive të identifikuara nga Prokuroria.
/tvklan.al












Botërori 2026 
